RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti pranoi Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga Ambasadori Szunyog

Shpërndaje

Duke e vlerësuar si më të mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadori Tomáš Szunyog, i dorëzoi Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, i njohur më herët si Raporti i Progresit.

Kryeministri Kurti vlerësoi faktin që raporti thekson se ka gjithnjë e më shumë fusha ku qëndrojmë më mirë sesa vitin e kaluar dhe se përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vlerësohet në të.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka forcuar kapacitetet në zbatimin, monitorimin dhe raportimin e kërkesave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizimit Asociimit dhe ERA II. Kjo ka rezultuar në një punë të koordinuar mirë dhe me këtë Raport për Vendin, i cili tregon qartë përkushtimin tonë për agjendën e BE-së dhe tregon progresin e shënuar në shumë fusha, tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se prioritete të Qeverisë janë punësimi dhe drejtësia, që janë renditur gjithashtu si prioritete kyçe brenda Agjendës së Reformës Evropiane II. Përveç kësaj, veçoi zbatimin e shumë reformave të vonuara prej kohësh, të cilat janë rekomanduar në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012, siç janë Rregullorja e Kuvendit, Ligji për financat e partive politike, Komisioni Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, Ligji për ushqimin etj.

Është mirë të shohësh se nuk ka fusha të vlerësuara me regres si në vitet e kaluara. Në shumë fusha ne kemi kaluar një hap më lart në shkallët e progresit, siç janë lufta kundër korrupsionit, reforma e administratës publike, politikat ekonomike dhe monetare, funksionimi i ekonomisë së tregut, arsimi dhe kultura, politika sociale dhe punësimi, politika e transportit, rrjetet trans-evropiane, ushqimi, çështjet e sigurisë, veterinare dhe fitosanitare.

Kosova është fanar i demokracisë në rajon, theksoi Kryeministri, duke shtuar se në vitin e kaluar, përkundër krizës pandemike dhe energjetike, Kosova arriti të ketë një nga rritjet më të larta ekonomike, luftë aktive kundër korrupsionit e krimit të organizuar, që ngriti pozicionin e saj në raportet objektive botërore.

Kryeministri theksoi se Kosova ka përmbushur 95 kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, andaj është radha që BE-ja të veprojë, për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Për shkak të përkushtimit të jashtëzakonshëm në rrugën tonë evropiane, besojmë se ka ardhur koha që Kosova dhe Bashkimi Evropian të përshpejtojnë përpjekjet e përbashkëta për adresimin e çështjeve që qëndrojnë në rrugën e procesit të integrimit në BE, tha Kryeministri Kurti. Ne kemi deklaruar objektivin tonë për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian si hap i parë me synim marrjen e statusit kandidat, theksoi ai.