Bota

Lufta në Ukrainë, BE-ja forcon ligjet për tregtinë e armëve

Shpërndaje

Bashkimi Evropian ka vendosur që të forcojë ligjet që rregullojnë tregtinë dhe transportin e armëve si një përpjekje për të parandaluar rënien e armëve në duart e bandave kriminale mes shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund të rrisë përhapjen e armëve të paligjshme.

Komisioni Evropian vlerëson se rreth 35 milionë armë të paligjshme janë në duart e civilëve në të gjithë bllokun. Rreth 630.000 armë zjarri janë të listuara si të vjedhura në bazën e të dhënave të sigurisë dhe kufirit të BE-së.

Ky vendim i Komisionit Evropian përfshin procedura më të qarta dhe të përbashkëta për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit dhe municioneve. Një sistem elektronik licencimi do të vihet në funksion për aplikimet e importit dhe eksportit për të zëvendësuar sistemet më të ngadalta të bazuara në letër që kanë shumica e vendeve.

Standarde më të rrepta do të vendosen për prodhimin e armëve alarmuese dhe sinjalizuese. Armët e tilla u konvertuan nga ekstremistët dhe u përdorën në sulmet e përgjakshme të Parisit në vitin 2015 dhe në vrasjen e stafit të revistës satirike franceze Charlie Hebdo.

Certifikatat e përdoruesit përfundimtar do të kërkohen për lloje të caktuara të armëve të zjarrit për të siguruar që marrësi nuk planifikon t’i transferojë ato te dikush tjetër, duke ndihmuar në uljen e rrezikut që armët të mund të shfaqen në tregun e zi.

Komisioni këmbëngul se masat nuk do të kufizojnë zotërimin e armëve dhe në fakt do të thjeshtojnë procedurat për gjuetarët dhe garuesit.

Komisionarja e Punëve të Brendshme, Ylva Johansson, u kërkoi vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian që t’i miratojnë ato me shpejtësi.

Johansson tha se një raport i agjencisë policore evropiane tregon se “grupet e organizuara kriminale po bëhen gjithnjë e më të dhunshme dhe se dhuna po bëhet gjithnjë e më vdekjeprurëse. Ky është një kërcënim për sigurinë tonë”, deklaroi ajo.