Rajoni

Qeveria konfirmon se vetëm ata që kanë punuar do të marrin pagat e shtatorit

Shpërndaje

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu tha se për shtatorin pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Ndërsa neni 18 i Ligjit për Greva thotë se ‘Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës’, si dhe Ligji për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Greva, neni 7, pas togfjalëshit ‘Kontrata e Punës’, shtohet fjalia ‘duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’.

Në ndërkohë, edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Ligji mbi grevën nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.

“Me Ligjin mbi grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin, me Ligjin mbi grevën parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës” – ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa kryetari i Këshillit Qendror Grevist të SBAShK-ut, Reshit Kushaj, për KALLXO.com ka thënë se janë duke pritur që të dalin pagat.

“S’kanë dalë ende, por pritet me dalë” – tha ai.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), nuk kanë informacion se çka do të ndodhë me pagat për grevistët.

Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.