Taravari vizitë në Shqipëri, pritet nga Presidenti Begaj dhe grupi parlamentar i PS-së
Taravari pritet nga Presidenti Begaj, përkushtim për sfidat e përbashkëta
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (u.d.) dr. Arben Taravari, u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, takim i ky i cili u cilësua si i frytshëm dhe vëllazëror, duke konfirmuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, me zotimin për thellimin e tyre.
Kryetarin Taravari në presidencën shqiptare e shoqëruan bashkëpartiakët Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit dhe Artina Qazimi, Abdulla Saliu dhe Syrija Rashidi – deputetë në Kuvendin e RMV-së.
“Duke e uruar për detyrën, e falënderova Presidentin Begaj për rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimet rajonale, përfshirë solidaritetin shembullor me fqinjët në rrugën tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Përgëzova Presidentin për lidershipin e dëshmuar nga Republika e Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar i cili po dëshmohet edhe me organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor të 6 dhjetorit, një ngjarje historike për Tiranën dhe tërë rajonin”, u shpreh kryetari Taravari pas takimit.
Në këtë takim u bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor duke theksuar progresin e arritur në Procesin e Berlinit dhe Tregut të përbashkët rajonal, ndërsa janë trajtuar edhe shumë çështje me interes të përbashkët, si Abetarja e Përbashkët dhe Shtëpia e Alfabetit në Manastir.
“I kërkova Presidentit angazhimin e tij për ta shpëtuar këtë trashëgimi shpirtërore shqiptare nga falimentimi i paralajmëruar ditë më parë. Diskutuam edhe për realizimin e disa projekteve tjera strategjike për kombin, siç janë linja hekurudhore Kërçovë-Lin dhe Rruga e Arbërit”, thekson kryetari i ASH-së, dr. Arben Taravari.
Kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme që Aleanca për Shqiptarët, si subjekti më i madh opozitar ka me shtetin shqiptar.
*******
Një delegacion i Aleancës për Shqiptarët i përbërë nga Kryetari (u.d) Arben Taravari, deputetët Artina Qazimi, Syrija Rashidi dhe Abdulla Saliu, si dhe Kryetari i Komunës së Vrapçishtit Isen Shabani, në Kuvendin e Shqipërisë u pritën në një takim zyrtar nga kordinatori i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, z.Taulant Balla dhe deputetë të tjerë të kësaj partie.
Në takim u shpalosën qëndrimet e ASH-së për proceset aktuale dhe sfidat e përbashkëta.
Z. Ballaj vlerësoi lartë rolin e Aleancës për Shqiptarët në procesin integrues të vendit dhe rajonit. Në këtë takim, koordinatori i PS-së potencoi se Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
“I kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të saj në APKiE të mbështesë këtë demarsh në dobi të qartësimit të së vërtetës përkundrejt shpifjeve dhe të pavërtetave në raportin që frymëzoi atë Rezolutë në vitin 2011. Shqipëria shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën. Gjithashtu vlerësojmë rolin e Aleancës në mbështetjen e legjislacionit që duhet të miratojë Maqedonia e Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Taulant Balla.
Kryetari Arben Taravari tha se subjekti ynë bashkë me deputetët do të angazhohen maksimalisht që në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të sigurojë mbështetje sa më të gjërë për këtë iniciativë. Aleanca për Shqiptarët me këtë është subjekti i parë nga RMV që angazhohet drejtëpërdrejtë për këtë démarsh të inicuar nga Parlamenti i Shqipërisë.
Pas takinit, Taravari dhe Balla mbajtën një konferencë për shtyp ku shpalosën detajet nga takimi dhe komentuan zhvillimet aktuale.