Ukraina i kërkon Iranit të ndërpresë furnizimin e Rusisë me armë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi të premten homologut të tij iranian që të ndalojë menjëherë furnizimin me armë për Rusinë. Kjo ishte telefonata e parë mes dy zyrtarëve që kur Kievi tha se Moska po përdor dronë të prodhuar nga Irani.
“Sot, mora një telefonatë nga ministri i jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, gjatë së cilës i kërkova Iranit që të ndalonte menjëherë furnizimin e Rusisë me armë të përdorura për të vrarë civilë dhe për të shkatërruar infrastrukturën kritike në Ukrainë”, tha ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në Twitter.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë akuzuar Iranin për dërgimin e dronëve “kamikaze” në Rusi, të cilët më pas janë përdorur me efekt shkatërrues nga forcat ruse në sulmet që synojnë infrastrukturën ukrainase. Irani i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase njoftuan të premten ndërprerje të mëtejshme të furnizimit me energji elektrike në qytetet më të mëdha të vendit, pas sulmeve të vazhdueshme të Rusisë që dëmton infrastrukturën energjetike.
“Ukrenergo”, operatori shtetëror i linjave të transmetimit të tensionit të lartë të Ukrainës, tha se kishin nisur “ndërprerjet emergjente” prej katër orësh në rajonin e Kievit.
Zyrtarët në të gjithë vendin u kanë kërkuar njerëzve që të kursejnë energjinë duke reduktuar konsumin e tyre të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut dhe duke shmangur përdorimin e pajisjeve të tensionit të lartë.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se 30% e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar që kur Rusia nisi valën e parë të sulmeve në infrastrukturën energjetike më 10 tetor.