Maqedoni

Autostrada Kërçovë – Ohër, Grubi: “Finalizimi deri në fund të vitit të ardhshëm, e kemi prioritet si Qeveri”

Shpërndaje

Po finalizohen punët e asfaltit në tunelin e autostradës Kërçovë – Ohër, ndërsa pjesë të aksit po vihen në komunikacion nën regjim të përkohshëm siç po përfundon ndërtimi. Është depërtuar në 95 për qind të trasesë, ndërsa në terren po punohet me mbi 800 punëtorë dhe rreth 400 makina.

Porosi që të ruhet dinamika dhe afati i vazhduar për ndërtim të autostradës deri në fund të vitit 2023 u bënë gjatë kontrollit të sotëm të punëve ndërtimore në tunel nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, Zëvendësministri Bekim Rexhepi dhe drejtori i NP për Rrugë shtetërore, Ejup Rrustemi.

“Bashkë me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, Ministrin për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski, Zëvendësministrin Bekim Rexhepi dhe Drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi, mbikqyrëm nga afër ecurinë e punëve ndërtimore të tunelit përgjatë autostradës Kërçovë – Ohër. Finalizimi i kësaj autostrade deri në fund të vitit të ardhshëm është ndër prioritetet parësore të Qeverisë duke e pasur parasysh rëndësinë e madhe që ajo ka për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shkruar Grubi pas inspektimit të punimeve.

Shiriti i djathtë i autostradës nga Trebenishtja drejt Ohrit, theksoi, ka përfunduar dhe është lëshuar në përdorim nën regjim të përkohshëm përveç tek vendi Podmolje ku po zhvillohen punë ndërtimore për sistemin kolektor.