BotaTop Lajme

Erdogan: Operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi

Shpërndaje

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, duke folur rreth operacionit të vendit të tij në rajonet veriore të Irakut dhe Sirisë, tha se operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të AK Partisë në Kuvendin e Madh Popullor të Türkiye-s (TBMM).

Duke theksuar se kanë qëndruar besnik ndaj premtimeve të tyre lidhur me kufijtë e Sirisë, Erdoğan tha se nëse bashkëbiseduesit e tyre nuk kanë përmbushur kërkesat e marrëveshjes, atyre u ka lindur e drejta për t’u kujdesur për veten.

“Operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi”, tha presidenti turk duke paralajmëruar për një operacion tokësor kundër terroristëve në kohën e duhur.

“Forcat të cilat dhanë garanci se Türkiye nuk do të përballet me ndonjë kërcënim nga rajonet që i mbajnë nën kontroll në Siri, nuk i kanë mbajtur premtimet”, tha ai.

Erdoğan tha se mesazhi ynë për ata që mundohen ende të gjunjëzojnë Türkiye-n me metoda tinëzare është: “Nuk do të keni sukses”.

Herët të dielën, Türkiye nisi operacionin “Kthetra-Shpata”, një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit terrorist PKK/YPG, i cili posedon strehë të paligjshme përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë, nga ku ata planifikojnë sulme në tokën turke.

Ministri i Mbrojtjes së Türkiye-s, Hulusi Akar, sot njoftoi se vendi i tij në kuadër të operacionit “Kthetra-Shpata” ka neutralizuar 254 terroristë ndërsa ka goditur 471 objektiva deri më tani.

Operacioni ajror pasoi sulmin terrorist në rrugën e frekuentuar “Istiklal” të Istanbulit ku humbën jetën 6 persona ndërsa 81 të tjerë u plagosën.