MaqedoniTop Lajme

Fitimi dhe Fadili Me dekada s’mund të marrin shtetësi/ Onishçenko u pajis me shtetësi të Maqedonisë sa “çel e mshel sytë”

Shpërndaje

Në Maqedoni ka shumë qytetarë të cilët jetojnë këtu me dekada, por shteti nuk u jep shtetësi. Madje shumica prej tyre vlerësohen si të rrezikshëm për shtetin.

Një rast i tillë është Fitim Nuhiu, i cili disa herë ka aplikuar për shtetësi, por ka marrë përgjigje negative me çka tashmë tani më ka hequr dorë nga kjo kërkesë.
“Unë para 10 – 11 viteve kam ardhur këtu në Shkup për të jetuar. Jam i martuar me gruan që e ka shtetësinë e Maqedonisë, mirëpo mua më refuzohet për herë të dytë më ka ardhur përgjigja negativ, me përgjigjen shumë absurde, që jam i rrezikshëm për sigurinë kombëtare apo shtetërore”- Fitim Nuhiu, pa shtetësi.

Situata e njëjtë, por edhe më e rëndë është me qytetarin Fadil Currin, i cili më shumë se 60 vjet jeton në Maqedoni. Arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë i ka kryer në Shkup, por ai ende nuk ka shtetësi të Maqedonisë për shkak se edhe ai është konstatuar si i rrezikshëm për shtetin.

“E kam pasur unë shtetësinë në rininë time, por jam shpërngulur në Kosovë në vitin 1980 dhe shkak i shpërnguljes ka qenë se, në atë kohë unë isha student i gjuhës dhe kërkoja ta njihja letërsinë dhe i shkrova ministrisë së Arsimit në Shqipëri, për librat e ri që botoheshin atje, qofshin shqiptar apo botëror. Mi dërguan librat por pas 2 jave ma dërguan edhe ftesën për bisedë në polici… dhe unë u detyrova të shpërngulem në Kosovë.”- Fadil Curri, Pa Shtetësi.

Por çuditërisht në Maqedoni shtetësinë e fitojnë njerëz kontrovers.
Oligarku ukrainas Oleksandar Onishçenko, me shtetësi të Maqedonisë u pajis shpejt dhe pa probleme, ndërsa vendimi për dhënien e pëlqimit për shtetësi është bazuar në “dosjen e pastër”.

“Të gjithë ato informacione dhe jo vetëm informacione por fakte të vërtetuara sigurisht që i ka udhëheqësia e Agjencisë për siguri kombëtare ata janë ato që do të na i kumtojnë të gjithë neve sa i përket asaj se si, çka dhe përse është bërë dhe në këtë mënyrë do të vendoset edhe përgjegjësia. E dini se përkundër përgjegjësisë disiplinore mbahet edhe përgjegjësi penale nëse ka elemente për një gjë të tillë”- Oliver Spasovski, Ministër I Brendshëm.

Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, dje tha se është konstatuar se lëshimi është bërë në mungesën e konsultim ndërkombëtar me partnerët në kuadër të NATO-s. Megjithatë ky nuk është lëshimi i vetëm i institucioneve të sigurisë së shtetit. Edhe vitin e kaluar doli në pah skandali me dhënien e shtetësisë shtetasit turk Sedat Peker, i cili në Turqi kërkohej për vrasje dhe për trafikim të drogës./TV21