Kryeministri Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, prezantoi mundësitë që ofron Kosova për investitorë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në edicionin e 19-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Ai ishte folës kryesor në panelin e dytë të forumit me temë “Sigurimi i zhvillimit ekonomik rajonal në një mjedis të pasigurt”.
Në adresimin e tij, kryeministri Kurti theksoi se krahas zhvillimit të ekonomisë, Kosova po ashtu ka shënuar përparim në fuqizimin e demokracisë në vend. Ai tha se zhvillimi ekonomik rajonal varet nga afërsia e secilit prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me vlerat demokratike dhe aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Me tej, ai ndau me pjesëmarrësit e forumit të dhënat më të fundit të indikatorëve ekonomikë në vend dhe gjetjet kryesore të raporteve ndërkombëtare, që dëshmojnë përmirësimet e shënuara në luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirisë së medies.
Duke bërë thirrje për investime të huaja në Kosovë, kryeministri Kurti prezantoi avantazhet dhe mundësitë, që vendi ynë ofron për investitorë të huaj dhe planet e Qeverisë për investime në infrastrukturë, mjedis dhe energji të ripërtëritshme.
Forumi Ekonomik i Vjenës bashkon përfaqësues të lartë, hisedarë dhe politikë-bërës të ekonomisë rajonale, evropiane dhe botërore, me qëllim ofrimin e nismave konkrete në mbështetje të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal.