RajoniTop Lajme

Ngrihet flamuri kombëtar në Vlorë, Begaj: Shqipëria ka detyrim kushtetues për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon

Shpërndaje

Në Vlorë, aty ku u ngrit flamuri i Pavarësisë 110 vite më parë, sot festojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe kosovar janë bërë bashkë këtë 28 Nëntor dhe kanë ngritur flamurin kuq e zi në sheshin Pavarësia.

Pranë monumentit të Pavarësisë, vendosën kurora me lule edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, drejtues të pushtetit vendor, si dhe qindra qytetarë të Vlorës dhe jo vetëm.

Qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, të pranishëm në ceremoni urojnë në këtë vit Jubilar për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Në një fjalim nga sheshi i Flamurit, Presidenti Begaj uroi të gjithë shqipfolësit kudo ndodhen për ngjarjen më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Begaj tha se historia kombëtare e vendit është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres dhe histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka.

Teksa foli për arritjet e Shqipërisë dhe rolin e saj në rajon por jo vetëm, kreu i shtetit tha se vendi ka rrugë të gjata për të bërë, sidomos në rrugëtimin e saj në BE.

“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim dhe largpamësi”, tha Begaj.

“Ishte trimëria e djelmnisë kosovare dhe asaj mbarëshqiptare, që me heroizmin e qëndresën e kultivuar ndër shekuj, i dolën për zot vatanit dhe i demonstruan mbarë botës shenjtërinë e lirisë, gjuhës, atdheut dhe identitetit tonë kombëtar”, shtoi presidenti.

“110 vjet pas shpalljes së pavarësisë, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkan, në Evropë e në mbarë botën”, tha Begaj, duke shtuar se Shqipëria ka detyrimin për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.

“Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare”, tha Presidenti, duke shtuar se “me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë.”

“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik. Të dashur motra dhe vëllezër, Patriotët e mëdhenj që nderojmë sot janë shembulli më i mirë i bashkimit për interesat kombëtare”, ka theksuar Begaj.

“Me këtë mesazh, unë dua t’i bëj apel sot vetëdijes shqiptare se atdheu dhe kombi kanë nevojë për përkushtimin, përgjegjësinë, shërbimin dhe dashurinë e secilit prej nesh. Nga Vlora e bukur e flamurit, uroj sot të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, Arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.”

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.