Qyteti i Shkupit i zhytur në borxhe, nuk i bëhet vonë të ndajë 250 mijë euro për Vardarin!
Qyteti i Shkupit, kryeqyteti i vendit po udhëhiqet për herë të parë që nga pavarësia nga një grua, Danella Arsovska, por skandalet nuk po përfundojnë edhe me këtë udhëheqësi të re. Këshilli i Qytetit të Shkupit javë më parë miratoi propozimin që KF Vardarit t’i ndahet ndihmë financiare prej 15 milionë denarëve apo rreth 250 mijë eurove edhe përkundër faktit se ky klub është nën pronësi private. Paradoksi më i madh është fakti se qyteti i Shkupit ka borxh prej 500 mijë eurove kompanisë private transportuese “Makeskpres”, me të cilën ka ndërprerë bashkëpunimin, dhe shumë linja që kanë qenë të nevojshme për qytetarët janë ndërprerë. Ndërkaq, janë planifikuar 240 mijë euro të përdoren për të subvencionuar blerjen e transportit ekologjik, kjo tregon që më shumë buxhet për Vardarin se për vendime që ndihmojnë qytetarët. Kujtojmë që, Arsovska vitin e kaluar ka deklaruar se qyteti i Shkupi është në borxh mbi 50 milionë euro, shkruan Zhurnal.
Kush e propozoi këtë amendament në qytetin e Shkupi?
Këshilltari i koalicionit të drejtuar nga VMRO-DPMNE në Qytetin e Shkupit, Erxhan Selimi ka qenë propozuesi i amendamentit për dhënie të ndihmës financiare prej 250 mijë eurove për KF Vardarin. Selimi është përfaqësues i partisë “Romët e Bashkuar të Maqedonisë”, që në zgjedhjet e fundit lokale ishin në koalicion me VMRO-në.
Këshilli i Qytetit të Shkupit, me 19 vota “Pro”, 5 “kundër” dhe 4 “të përmbajtur”, miratoi amendamentin e grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, për të ndihmuar financiarisht me 15 milionë denarë Klubin Futbollistik “Vardar”.
Ky vendim ngjalli reagime të shumta në opinion-
Ndaj këtij vendimi reagoi drejtori sportiv i KF Shkupit, Omer Bunjaku, i cili tha se në këtë qytet ka edhe katër klube të tjera, pra nuk është vetëm Vardari. Ai kujtoi këshilltarët e Qytetit të Shkupit se ekzistojnë 4 klube të tjera në Ligën e Parë nga Shkupi dhe se “Vardari” nuk është i qytetit, por është në pronësi private. Bunjaku në reagimin e tij porositi këshilltarët në Qytetin e Shkupit që të mos bëhen për dikë nënë e për dikë njerkë dhe të gjithë të mundohen të kryejnë obligimet sipas posteve që kanë marrë.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar edhe Rabotniçki, sipas të cilëve nuk duhet të jetë vetëm një klub i privilegjuar në kurriz të gjithë të tjerëve.
Ka reaguar edhe gazetari shqiptar, Furkan Saliu, sipas të cilit kjo ndihmë është e paarsyeshme në këtë kohë krize.
“Në kohë krize, kur qytetin e kemi në terr për shkak se po kursejmë energji elektrike, kur kemi dilema se a do të kemi se me çka do të ngrohemi, se a do të ketë ngrohje nëpër shkolla dhe spitale, ne duam që t’i dhurojmë 250.000 euro një klubit që është pronë private dhe që është në borxhe milionëshe dhe që luan në ligën e dytë të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Saliu.
Mes tjerash kanë reaguar edhe qytetarë të shumtë sipas të cilëve, kjo ndarje e buxhetit që mbushet nga taksat e qytetarëve është ndarje e padrejtë dhe e panevojshme sidomos kur kemi të bëjmë me një klub si Vardari, që qartazi njihet në historinë e tij me një tifozëri antishqiptare. Nëse kthehemi në retrospektivë të asaj çfarë kanë bërë tifozët e këtij klubi, kujtojmë që, tifozët Komitët kanë rrahur tre shtetas të Kosovës në afërsi të Parkut të Qytetit të Shkupit. Janë tifozë që pas çdo ndeshje përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, madje kanë shkuar tutje duke kërcënuar shpesh herë edhe gazetarët. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një klub që është dërguar edhe para komisionit disiplinor.
Qyteti Shkupit i “zhytur” në borxhe, por kujdeset për borxhet e Vardarit-