ASH, me propozime për luftën kundër korrupsionit
Aleanca për Shqiptarët kërkon miratimin e një sërë ligjesh dhe ndryshimesh për të luftuar korrupsionin në disa nivele dhe thotë se gjatë periudhës së ardhshme do të angazhohet për zbatimin e tyre. Në mesin e tyre janë:
– Ligji për veting të gjykatësve dhe prokurorëve,
– Ligj për themelimin e një zyrë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë kriminale,
– Ligj për vetingun e integritetit dhe pasurisë së personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike,
– Ligj për parandalimin e nepotizmit nga deputetët, ministrat dhe drejtorët dhe
– Dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor dhe prokurori.
“Jemi në gatishmëri që të bashkëpunojmë me të gjithë palët duke përfshirë edhe partitë politike, pa marrë parasysh pozitë apo opozitë, dhe me faktorin ndërkombëtarë para të cilëve këtë pako të masave e kemi prezantuar dhe besoj që nga fillimi i vitit të ardhshëm vetëm se të ketë rezultate që kjo të jetë e kapshme për qytetarët”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Taravari, thotë se pavarësisht nga pozita ose nga opozita do të angazhohet në zbatimin e këtyre masave.
“Në qoftë se vijmë, kurdo qoftë që të vijmë në qeveri, pas zgjedhjeve apo para zgjedhjeve, unë do të kisha preferuar pas zgjedhjeve të hymë në qeveri dhe ta formojmë qeverinë, natyrisht nuk do të mbesë institucion i cili nuk duhet të hetohet dhe të shihet. Faktikisht, të bëhet veting në të gjitha institucionet por para së gjithash të fillojë me drejtësinë, arsimi sipëror është një nda sferat që gjithashtu duhet veting, shëndetësia terciare patjetër, kështu që ka plot punë në këtë drejtim”, Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Pakoja e masave të ASH-së publikohet në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe pak ditë pas njoftimit të ambasadores së SHBA-së, Angella Ageler, për një ekip amerikan që ka zbarkuar në Shkup për të zbardhur korrupsionin e funksionarëve të shkuar dhe të tanishëm. /Alsat.mk