Bota

“Dritë jeshile” për Kroacinë në Schengen, Austria vendos veton për Bullgarinë dhe Rumaninë

Shpërndaje

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner në një deklaratë të enjten tha se vendi i tij do të vendosë veton ndaj Rumanisë e Bullgarisë për t’iu bashkuar zonës Schengen, sipas mediave të huaja.

Ai mori pjesë në një takim të kolegëve të BE-së të cilët po diskutonin edhe për anëtarësimin e Kroacisë në Schengen, i cili aktualisht përfshin 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së plus Zvicrën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Islandën.

Komisioni Europian u ka bërë thirrje vendeve të bllokut që të mundësojnë hyrjen e këtyre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë. Kancelari austriak Karl Nehammer tha qeveria e tij është e gatshme të pranojë Kroacinë, por është kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë.

Zona Schengen – me 26 vende anëtare nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes vendeve anëtare dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo leje tjera shtesë, raporton abcnews.al.

Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja, janë vendet e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, nuk janë vende të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen.

Komisioni Europian ka rekomanduar tashmë që Bullgaria, Rumania dhe Kroacia duhet të pranohen në Shengen, duke thënë se vendet kishin përmbushur kërkesat e nevojshme.

Por një vendim i tillë duhet të mbështetet në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët, 22 vende të BE së bashku me Lihtenshtajnin, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën dhe Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha se do të votonte kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, për shkak të emigracionit të paligjshëm./abcnews.al