FIFA jo që nuk e dënoi por e “promovon” Xhakën para ndeshjes me Portugalinë
Mediat serbe kanë shpresuar se Granit Xhaka do të dënohet nga FIFA për veprimet në ndeshjen ndaj Serbisë. Por kapiteni shqiptar i Zvicrës jo që nuk do të dënohet, por edhe po promovohet në një mënyrë nga FIFA, shtëpia botërore e futbollit.
FIFA të hënën ka publikuar në faqen zyrtare një intervistë të Xhakës para ndeshjes me Portugalinë, që zhvillohet të martën mbrëma në 1/8 e finales të Botërorit në Katar.
“Xhaka thotë se Zvicra mund ta frustrojë Portugalinë”, është titulli i shkrimit.
“Ne kemi luajtur me Portugalinë shumë herë së fundi”, ka thënë Xhaka për FIFA-n.
“Portugezët kanë ekip të rrezikshëm që mund të zë kundërshtarin në kundërsulm, siç na ndodhi në Lisbonë në kuadër të Ligës së Kombeve. Duhet të jemi plotësisht të fokusuar nga minuta e parë e deri në fund dhe të sigurohemi që mos të bëjmë gabime. Nëse mund ta bëjmë këtë, atëherë kam besim se mund t’i frustrojmë portugezët”, ka shtuar Xhaka.