RajoniTop Lajme

Hovenier për Asociacionin: Themelimi i tij s’ka opsion, është marrëveshje ligjërisht e obligueshme

Shpërndaje

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë të qartë se ShBA kërkon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të bëhet patjetër.

Hovenier ka theksuar se në këtë drejtim nuk ka opsion, pasi tha se Asociacioni është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, dhe ky qëndrim i ShBA’së nuk do ndryshojë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, tha ambasadori në një takim me gazetarë.

Hovenier tha se Asociacioni është edhe në interes të Kosovës.

Sipas tij, ky kusht përshpejton normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kështu që pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm kësaj përpjekjes së gjerë për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai. /Reporteri.net/.