Lirohet çmimi i rrymës për dy blloqet e para/ Në çmimin e ri të energjisë rritet TVSH-ja nga 5 në 10%
Nga 1 janari çmimi i rrymës për amvisëritë e bllokut të parë dhe të dytë do të ulet. Në bllokun e parë çmimi do të ulet për 4,11%, për bllokun e dytë për 2, 95%, ndërsa për bllokun e tretë rritet për 0, 85% dhe për të katërtin për 7, 65%. Çmimi për bllokun e parë do të jetë 7,41 denarë për kilovat orë, për bllokun e dytë 7.84 denarë për kilovat orë. Ndërkaq në bllokun e tretë çmimi do të arrijë 8, 74 denarë dhe blloku i katër 18,81 denarë, shpjegojnë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Megjithatë nga 1 janari në çmimin e ri të energjisë elektrike do të përfshihet edhe rritja e TVSH-së nga 5 në 10 %.
“Për 99.2% të amvisërive në vend do të kenë ulje të çmimit të energjisë elektrike. Nëse vazhdojnë amvisëritë që të kursejnë, një përqindje shumë e vogël do të kenë shpenzime të rritura për energjinë elektrike. Këto janë masa konkrete të cilat do t’i ndihmojnë qytetarët që të përmirësohet standardi i tyre jetësor”- deklaroi Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.
Ndërkaq për 20,15% do të ulet çmimi i energjisë elektrike edhe për kompanitë e vogla të bizneseve të cilat bëjnë pjesë në tregun e rregulluar.
“Ky çmim do të zbatohet për 70 000 kompani në vend, të cilat në periudhën e kaluar janë ballafaquar me rritje të harxhimeve për energji elektrike. Kjo është një masë konkrete e cila sjell ulje të dukshme të harxhimeve të tyre për energji elektrike. Bëhet fjalë për kompani të vogla dhe mikro kompani, shitore të vogla, floktari, berbertore, kafene të vogla, kompani të cilat kanë nevojë për një ndihmë të këtillë”.
Bislimovski njoftoi se çmimi i përçimit të energjisë elektrike ulet për 8,66 për qind, ndërsa për shpërndarje për 19,54 për qind. Në fillim të këtij viti, rryma u rrit për 9,48%, ndërsa u hoq tarifa e lirë ditore, duke mbetur tarifa e lirë e natës dhe të dielave.
Sipas të dhënave të KRrE-së qytetarët kanë filluar të kursejnë në masë të madhe energjinë elektrike. Bislimovski apelon që një gjë të tillë ta bëjnë edhe më tej.