Ministri Sveçla demanton deklaratat e Vuçiqit
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit të Serbisë, ka vënë në dukje se Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.
“Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëj me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, ka theksuar ministri Sveçla.
Ministri Sveçla konfrimon se sulmet ndaj zyrave të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor, ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), ka edhe dëshmitarë nga KFOR-i, që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, si dhe raporti mjekësor që e dëshmon këtë.
“Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë”, thekson ministri Sveçla në këtë reagim.
Ai ka thënë se propaganda e tij më nuk gjenë adresë, askund.
“Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”, përmbyll reagimin e tij ministri i MPB-së, z. Xhelal Sveçla.