Rajoni

Në Apel avokati kërkon uljen e dënimit për Hysni Gucatin: Nuk ka ndonjë provë që personat janë dëmtuar

Shpërndaje

Në Dhomat e Specializuara të Hagës është mbajtur seanca e Apelit në çështjen e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në seancën e sotme Jonathan Elystan Rees, avokat i Hysni Gucatit, ka deklaruar se trupi gjykues gabimisht ka dënuar Gucatin.

“Trupi gjykues bëri gabime të dukshme në dënimin e z. Gucati kur vlerësoi seriozitetin apo peshën e rëndë të veprës së tij” – tha Rees.

Avokati Rees më tej ka argumentuar se nga të akuzuarit nuk u përdor forcë apo detyrim dhe nuk janë shkaktuar dëme në hetime.

Në mungesë të provave, Rees ka kërkuar që Gjykata ta ulë dënimin e shqiptuar ndaj Gucatit e Haradinajt.

“Nuk ka ndonjë provë që personat janë dëmtuar… Ne kërkojmë nga ju që të keni parasysh të gjitha pikat që i nënshtrohen 20 arsyeve të apelimit në njoftimin tonë paraprak dhe në të kundërtën ta reduktoni, ta ulni dënimin në bazë të këtyre provave” – ka thënë avokati Jonathan Elystan Rees.

Avokati më tej ka pretenduar se Gjykata nuk ka arritur të vërtetojë se Gucati ishte në dijeni se veprimet e tij përbënin veprën e kanosjes.

“Në aktgjykim, trupi gjykues nuk ka konstatuar se i akuzuari ishte në dijeni që veprimet e tij përbënin kanosje serioze dhe nuk kanë bërë asnjë lloj përfaqësimi ku janë rastet që nënkuptohet se kanë pasur dëmtim dhe të vërtetonin sei akuzuari dëshironte që veprimet dhe deklarata e tyre përbëjnë kërcënim për të dëmtuar një person tjetër” – tha mes tjerash Rees.

Gjatë së enjtes i pranishëm në sallë qe Nasim Haradinaj, kurse Gucati është paraqitur në karrocë për shkak të problemeve shëndetësore.

Mbrojtësit parashtruan një numër gabimesh në ligj dhe në fakte, si dhe gabime në shqiptimin e dënimit.

Mes tjerash nga Gucati është kërkuar që paneli i Apelit ta rrëzojë vendimin e fajësisë dhe ta lirojë për të gjitha pikat e akuzës apo ta kthejë çështjen turpit gjykues, ose nga ana tjetër të ulë dënimin.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kundërshtoi këto propozime duke i kërkuar panelit të Apelit që t’i hedhë poshtë këto pretendime.

Seanca e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj do të mbahet edhe nesër.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), janë arrestuar me 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që nga kjo kohë gjenden në paraburgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022 u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtorë se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020 bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-UÇK-së mbajtën konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP, Gucati e Haradinaj mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Për këto akuza, Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm.