Premtimi i Pacollit për parkingjet në Çair: 408 ditë më vonë, asnjë gozhdë (Video)
KOMUNA E ÇARIT: PROBLEMI ËSHTË TEK KUVENDI
Para më shumë se 1 viti, erdhi në Shkup dhe premtoi se do të ndërtojë 5 parkingje në kate, raporton Klan M.
”Garazhet do të bëhen këtu në këtë shesh” – tha Behgjet Pacolli.
Madje siguroi se ai nuk është si tjerët dhe se e mbanë fjalën.
”Unë besoj se njerëzit nuk janë të njëjtë. Unë njihem si njeri që i përmbush premtimet e veta gjithmonë” – tha Behgjet Pacolli.
Por sot, 408 ditë më vonë, asnjë gozhdë nuk është vendosur në vendin ku ish presidenti kosovar dhe Visar Ganiu premtuan se për dy vjet e gjysmë do të ketë parking në kate. E pyetëm biznesmenin kosovar, se a mos ndoshta kanë biseduar edhe për këtë çështje në darkën që e shtroi për Ali Ahmetin dy ditë më parë, por ai nuk u përgjigj. E në ndërkohë, ja se si parkohen banorët e Çairit.
Nga Komuna e Çairit thonë se investimi nuk po realizohet për shkak se nuk kanë ardhur në rend të ditës ndryshimet në Ligjin për investime të huaja.
”Arsyeja kryesore për mos nisjen e ndërtimit të garazheve në kate është si rezultat i faktit që ende në rend dite nuk është Ligji për investime të huaja në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut përmes të cilit parashiheshte të kryhet ky investim. Paralelisht ne si institucion lokal, kemi filluar procedurën për ndryshimin e Planit detal urbanistik, gjegjësisht përcaktimin e tre pikave për garazhe në kate edhe atë në rrugën “Cvetan Dimov” (Jahja Pasha), në afërsi të Bulevarit “Nikolla Karev” (rr. e Plastikave) dhe në Sheshin Skënderbe” – thonë nga Komuna e Cairit.
Parkingjet ishin premtim i Ganiut edhe në mandatin e parë, por mbetëm vetëm premtim. E ky premtimi i fundit ishte për 3 mijë parkingje të reja, por edhe ky premtim mund që asnjëherë mos të bëhet realitet. /KlanMacedonia/