Të enjten Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE
Radio Televizioni i Kosovës ka raportuar se më 15 dhjetor Kosova do ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimit Evropian dhe se për këtë çështje, atje po qëndron Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
RTK thotë se ka siguruar edhe dokumentin zyrtar që arsyeton aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i hartuar në nëntor 2022, pjesë të të cilit ka i ka publikuar.
Dokumenti fillon me një rezyme të rrugës së Kosovës të nisur gati dy dekada pasi Këshilli Evropian në Selanik, premtoi perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tyre, aty tregohet se nga ajo kohë, Kosova mbetet i vetmi vend që ende nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.
“Pavarësisht kësaj, anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për vendin, siç dëshmohet nga angazhimi i fortë i qeverisë për të ndërmarrë reforma kyçe si pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane”, shkruan në këtë dokument.
Më tej shkruan se ekziston një konsensus i gjerë në të gjithë spektrin politik dhe qytetarët, në favor të anëtarësimit të Kosovës në BE, e që bazuar në sondazhet rajonale, ato tregojnë nivelin më të lartë të mbështetjes nga popullata e përgjithshme që është në 94% pro.
“Prandaj, koha jo vetëm që është e përshtatshme për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, por ky hap ilustron vullnetin e fortë të qytetarëve tanë dhe shërben si një manifestim i qartë i përkushtimit të palëkundur të institucioneve të Kosovës në rrugën euroatlantike”.