Vuçiç: Këtë javë kërkesë NATO-s, të vendosim ushtrinë në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se pas15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Beogradi zyrtar më 8 dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të saj në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiç tha në një konferencë për shtyp në Beograd se këtë kërkesë do t’ia bëjë me një letër komandantit të forcës së NATO-s KFOR.
Deklarata e tij erdhi pas një sërë incidentesh midis autoriteteve të Kosovës dhe serbëve lokalë që përbëjnë shumicën në zonat veriore të Kosovës me shumicë shqiptare.
“Do të kërkojmë nga komandanti i KFOR-it që të sigurojë dislokimin e personelit të ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçiç.
Qeveria në Beograd do të miratojë zyrtarisht dokumentin të hënën ose të martën, tha ai.
Kjo është hera e parë që Beogradi kërkon të vendosë trupa në Kosovë, sipas dispozitave të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së viteve 1998-1999, në të cilën NATO ndërhyri kundër Serbisë për të mbrojtur Kosovën.