3 vjet pa protezë në këmbë, spitalet s’kanë material! Vitorja lut institucionet për ndihmë, që të mund të ecë
Vitore Naumovski nga fshati Neproshten i Tetovës tash e tre vite është pa protezë në kofshën e këmbës së majtë. Ajo është bërë operacion në vitin 2005, por më pas i kanë thënë se do të duhet t’i ndërrohen materialet e protezës. Në vitin 2016 këmba i ka marrë infeksion, pas çka në 2019-tën ia kanë larguar protezën, por nuk i kanë vendosur të re, sepse siç pohon Vitorja, i kanë thënë se nuk ka material.
“Unë kam problem me këmbën e majtë, jam bërë operacion në 2005, kam vënë kofshë e protezë në 2008, po prej kur ka shkuar doktori në privat unë kam shkuar në ortoped pasi që në privat nuk kam mundësi të paguaj, më kanë thënë do të ndryshohen materialet por klinika jonë nuk ka. Pastaj unë në 2016 më ka dhënë infeksion këmbë edhe tre vite më kanë lënë me infeksion. Më pas kam shkuar tek “8 shtatori” kam hequr kofshën dhe protezën dhe më kanë thënë pas 6 muajsh do t’i vendosim dhe më pas kapi kovidi dhe shkova në shtator 2022, mjeku më tha të shkoj në spitalin “Nënë Tereza”, atje më thanë do të bësh rengen, magnet rezonancën, analizat. Vetëm më sorollatin dhe kur vjen fundi më thonë le t’i vendosin tek “8 shatori”, tha Vitore Naumovski.
Vitorja thotë se ky material kushtin 5 mijë euro ndërsa ajo nuk ka mundësi financiare që t’i mbulojë harxhimet, ndërsa ndihmat e vetme që i merr, i harxhon në spitale.
Vitore: “Pesë mijë euro, unë nuk kam mundësi me një ndihmë ekonomike, burrin e sëmurë dhe “kujdesin për tjetrin” që ma kanë dhënë 6 muaj për 3 vite që jam operuar, po ato i kam harxhuar nëpër spitale. Bën grafi, bën magnet rezonancën, bën analiza të gjakut, vetëm jam sorollatur.
Gazetari: Tash ti je me paterica?
Vitore: Po tash jam me patericë pa kofshë e pa proteza! I bëj lutje Ministrit të Shëndetësisë sa të ketë mundësi të më ndihmojë sepse unë nuk kam mundësi me ble atë material, asnjë mundësi nuk kam. Burri është i sëmurë, ka probleme shëndetësore, jam me një ndihmë ekonomike dhe i bëj lutje që të më zgjedhe këtë problem.”
Vitorja tash e tre vite jeton është në këtë gjendje, ndërsa të vështirë e ka edhe lëvizjen për punët më të thjeshta. E lamë me shpresën se institucionet do të ndërmarrin diçka për rastin e saj.