Maqedoni

Ahmeti për “Grupin e Zjarrit”: Mendoj se nuk kanë të drejtë

Shpërndaje

Në formën e ultimatumit të prerë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ftoi të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” të kthehet në binarët e partisë duke hequr dorë nga kërkesat. Thirrjen Ahmeti e bëri pas takimit me qytetarët në Tetovë, aktivitete të cilat i organizojnë si kundërpërgjigje të takimeve me qytetarët ë grupit të drejtuar nga nënkryetari i partisë Izet Mexhiti.

“Deri më tani unë mendoj se ky mendim ndryshe veçmë vlerësohet prej shumicës dërrmuese të anëtarësisë jo i drejtë. Edhe unë mendoj se nuk kanë të drejtë bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët e mi dhe duhet t’u kthehen institucioneve të partisë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

I kontaktuar nga Alsat, Mexhiti nuk komentoi thirrjen e Ahmetit. Por, publikisht ai ka përsëritur disa herë se ai dhe grupi i të pakënaqurve nuk e kanë në plan të tërhiqen nga kërkesat por as nga partia.

“Mund të na dëshirojë dikush shtëpi të re por ne nuk dalim nga shtëpia jonë. Edhe nga dera po të na përzënë, nga dritaret do të hymë sepse ne jo vetëm në shtëpi por edhe në rrugë kur jemi na thonë “ja ky i BDI-së”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Kjo fushatë paralele mes dy grupeve të BDI-së në terren pritet të vazhdojë. Palët kanë paralajmëruar takime të tjera nëpër disa qytete ku gëzojnë mbështetje. /Alsat.mk