MaqedoniTop Lajme

Ahmeti pritet në takim nga Presidenti i Shqipërisë Begaj

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, z. Faton Ahmeti dhe shefi i grupit parlamentar dhe nënkryetar i BDI-së z. Arbër Ademi, sot në Tiranë janë pritur në takim nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.

Marrëdhëniet bilaterale janë cilësuar si tradicionalisht të mira që kontribuojnë në thellimin e bashkëpunimit, duke vënë theksin në faktin se midis dy vendeve nuk ka konteste të hapura, prej nga del edhe imperativi që bashkëpunimi të vazhdojë në të gjitha fushat.

Në takim u theksua edhe bashkëpunimin i lartë i deritanishëm dhe mbështetja e përkushtimi në procesin e integrimit evropian si vende që ecin të njëjtën rrugë.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe mbi situatën në veri të Kosovës dhe nevojën imediate për arritjen e marrëveshjes së paqes me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve me qëllim të stabilitetit në Ballkan.

Ahmeti e ka informuar presidentin Begaj mbi ratifikimin e Marrëveshjes mes dy qeverive për vendosjen e vendkalimeve kufitare të përbashkëta sipas konceptit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One – stop shop”, duke theksuar se ky projekt duhet të fillojë implementimin shpejtë, për përshpejtim dhe thjeshtëzim të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.

Në takim është biseduar edhe mbi projekte të rëndësishme siç është Korridori 8, duke u cilësuar si nyje rrugore dhe hekurudhore që nis nga portet e Bullgarisë, kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë dhe përfundon në Brindisi të Italisë. Ahmeti dhe Begaj njëkohësisht kanë përshëndetur përfshirjen e këtij projekti në rrjetin kryesor evropian TEN-T, sepse hapen mundësi dhe shanse të reja financimi për hekurudha, porte e rrugë të reja.

Gjithashtu, gjatë bisedës mbi projektet mes dy vendeve është diskutuar edhe mbi portin e Durrësit dhe portin e thatë në Strugë që është pjesë e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave, investim ky që paraqet dimension inovativ dhe modern si dhe tejkalon përmasat e një projekti kombëtar për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.