Maqedoni

ASH i kërkon Prokurorisë Publike që të hetojë skandalin e zv.ministrit Nazim Bushi

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët sot i ka kërkuar edhe një herë Prokurorisë Publike që të hetojë skandalin e Zëvendës-Ministrit, Nazim Bushi, në lidhje me qëndrimin e tij në një hotel luksoz të Stambollit në muajin tetor 2020,

Kërkesa e ASH-së drejtuar Prokurorisë Publike, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit:

Kanë kaluar dy javë që kur Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kallëzim për dyshime për korrupsion kundër Nazim Bushit, Zëvendës-Ministër i Punëve të Brendshme.

Deri më sot nga ky Komision nuk ka asnjë veprim konkret ose përgjigje ndaj kallëzimit, përveç konfirmimit përmes telefonit se i njëjti është pranuar.
Sot, Aleanca për Shqiptarët i kërkon publikisht Prokurorisë Publike që të hetojë skandalin e Zëvendës-Ministrit, Nazim Bushi, në lidhje me qëndrimin e tij në një hotel luksoz të Stambollit në muajin tetor 2020. Ky qëndrim kap vlerë prej dhjetëra mijëra euro, por që janë paguar nga persona të panjohur sipas zëvendës-ministrit, gjë që përbën një dhuratë të kundërligjshme sipas ligjeve në fuqi.

Dështimi i institucioneve kompetente për të hetuar kërë rast korruptiv forcon edhe më shumë konstatimet se në vendin tonë nuk ka drejtësi dhe se e njëjta është në shërbim të politikës dhe krimit të organizuar. Me mosveprim, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, fatkeqësisht po rreshtohet në një grup me gjykatat dhe prokuroritë e kapura.

– Aleanca për Shqiptarët –