Bullgaria notë proteste për shkak të sulmit ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër
Ambasadorja e Maqedonisë në Sofje, Agnesa Rusi Popovska, është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për t’i dorëzuar notë proteste për shkak të incidentit në Ohër, gjegjësisht sulmit ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër “Car Borisi i Tretë”.
Njoftimin e ka bërë agjencia BGNES dhe thotë se bëhet fjalë për krim ndaj “bullgarit maqedonas” i cili është dërguar në spital me lëndime të rënda. Ministria e Punëve të Jashtme bullgare ka deklaruar qëndrimin e saj plot kritika ndaj Maqedonisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolaj Milkov, i është përgjigjur përmes telefonit kolegut të tij Bujar Osmani, nga i cili, siç shkruan agjencia bullgare, ka marrë sigurinë për ndihmën e nevojshme nga autoritetet lokale.
Shefi i përkohshëm i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Bullgarisë në Manastir dhe një ekip nga Ambasada Bullgare në Shkup janë në kontakt me shtetasin e lënduar dhe janë dërguar në Ohër, njofton agjencia.
Në tekstin e BGNES thuhet se me muaj të tërë shteti bullgar ka theksuar me këmbëngulje pritjet që autoritetet në Maqedoni të marrin masa të menjëhershme dhe efektive kundër përshkallëzimit të rëndë të krimeve të urrejtjes dhe manifestimeve ndaj bullgarëve në vend.