Maqedoni

Festat zbrazin xhepat e qytetarëve, faturat mbetën pa paguar?!

Shpërndaje

Tani që festat e fund vitit kaluan, qytetarët i kthehen llogarive se çfarë harxhuan. Përveç momenteve të mira që u mbeten nga festat, atyre u mbetën edhe faturat pa paguar. Çmimet e larta të produkteve ushqimore bëri që pjesa dërmuese e qytetarëve të konsumojnë më pak dhe të reduktohen vetëm me ushqimet bazë. Qytetarët shprehen se festat i kaluan në ambiente shtëpie jo se nuk kishin ide, por që buxheti tyre familjarë u pamundësoi të festojnë jashtë pragut të shtëpisë.

“Me atmosferë festive por në kushte shtëpiake, me nipërit nga që mundësitë i kemi të kufizuara për të mos u shpenzuar më tepër. Gjithçka kam prodhime shtëpie, rrallë diçka që bleva nga që jetoj në fshat. Po shikoj shitoret të gjitha të zbrazëta populli nuk blenë, janë dyfishuar çmimet në gjitha artikujt nga vjet”.

“Diku 60-70 euro minimumi nga që unë e bashkëshortja dhe vajza aq jemi tre. Nëse do të shpenzonim më tepër do të ngushtonim veten në vazhdim dhe çfarë kemi bërë pastaj, festuam dhe aq.”

Shuma e përgjithshme e kostos së tryezës na doli diku 5-6 mijë denarë. Duke pasur parasysh se të gjithë punojmë në familje, në tryezën festive i kishim të gjitha por me modesti.”

Përderisa të moshuarve pas festave nuk u dilnin llogaritë për të mbuluar muajin për shlyerjen e faturave të zakonshme të qerasë, ilaçeve, dritave dhe shërbimeve komunale, nga ana tjetër të rinjtë bënë festën më së largu në lokalet e lagjes. Ofertat e vendeve të largëta ishin me çmime marramendëse, por edhe në shtetet fqinje pak kujt se iu dha mundësia për të kaluar kufijtë për një mënyrë më ndryshe festive.

“Shpenzimet ishin më të larta tani por ia dolëm disi!”.

“Diçka më tepër! Çfarë nënkupton kjo për një familje? Gjithçka më shtrenjtë, si t’ia dalim me një pension! Më parë me 1,000 denarë e mbushje një torbë, tani nuk mundesh ta mbushësh as gjysmën e qeses.”

“Nuk patëm as mish e as peshk, por ja që do mbijetojmë në Maqedoni gjithçka është e mundur. Çdo herë do të përmbahemi, kjo krizë nuk është asgjë për ne. Akoma do të ketë turbulenca, s’di çfarë do të bëhet.”

Për një familje katër anëtarëshe, përllogaritjet sipas anketave dalin që gjatë ndërrimit të mot moteve kanë shpenzuar mesatarisht 80-100 euro për ushqime dhe pije jo alkoolike. Për fishekzjarrë dhe stolisje 0-25 euro, për dhurata dhe dedikime 10-20 euro. Për transport dhe karburante 10-30 euro.

Shpenzimet e festave të fund vitit
Ushqim dhe pije jo alkoolike 80-100 euro
Fishekzjarrë dhe stolisje 0-25 euro
Dhurata dhe dedikime 10-20 euro
Transport dhe karburante 10-30 euro

Disa thonë se u mungoi ushqimi i tyre i preferuar, por më shumë thonë se u munguan familjarët nga kurbeti. Të dhënat zyrtare të MPB-së, duke iu referuar hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare gjatë dhjetorit, tregojnë se për dallim nga viti i kaluar, numri i mërgimtarëve ka qenë më i ulët, të cilët kanë ardhur për të festuar në vendlindje. Përveç mallit të familjes, kjo mungesë u përkthye edhe në shifra monetare, ku tregu ynë është i varur nga remitancat e mërgimtarëve. /Alsat.mk