Maqedoni

Grubi për IRL: Zaevi dhe Ahmeti më 5 janar janë takuar në Strumicë

Shpërndaje

“Është biseduar për aktualitetin politik dhe ndryshimet kushtetuese”

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, para Krishtlindjeve ortodokse kanë qenë në Strumicë si mysafir të ish-Kryeministrit dhe ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Në një bisedë për IRL-në, siç njofton KlanM, Grubi ka bërë të ditur se kanë biseduar për situatën politike, kurse ish-Kryeministri Zaev i ka bindur se nuk është duke bërë skenare që BDI-ja të jetë jashtë qeverisë së re eventuale të zgjeruar.

“Tash shpejt, më 5 Janar, një ditë pas ditëlindjes së z.Ahmeti, u takuam me Zaevin, biseduam rreth katër orë. Ai ishte nikoqiri ynë. Për herë të parë z.Ahmeti shkoi në Strumicë që të shihet me Zaevin me ftesë të tij dhe biseduam për aktualitetin. Në këtë mënyrë edhe nga Zaevi dhe nga të gjithë pjesëmarrësit e takimit të 21 Dhjetorit jemi siguruar dhe absolutisht besojmë se skenare të tilla as që janë shqyrtuar e as që janë të pranueshme. As për Zaevin e as për Kryeministrin Dimitar Kovaçevski”, deklaroi Zv/kryeministri i parë, Artan Grubi.

Shkaku i takimit midis Zaevit dhe Ahmetit, sic përcjell KlanM njoftimin e IRL, ka qenë takimi I 21 Dhjetorit 2022, midis ish-Kryeministrit Zaev dhe Kryeministrit aktual Kovaçevski dhe spekulimet se po përgatitet një qeveri e re e zgjeruar midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së dhe përjashtimin e BDI-së nga Qeveria. Grubi, sic njofton KlanM, është shprehur I bindur se pas takimit me Zoran Zaevin, BDI-ja nuk e ka defaktorizuar Kryeministrin aktual Dimitar Kovaçevski.

Përveç spekulimeve se po përgatitet margjinalizimi eventual dhe dërgimi në opozitë I BDI-së, sic njofton IRL, Zaevi, Ahmeti dhe Grubi kanë biseduar se si arrihen deri tek 80 deputetët për ndryshimet kushtetuese./KlanMacedonia