Kurti i hidhëruar me deklaratën e Escobar se Asociacioni do të bëhet pa të: Pse s’e kërkoi njohjen në Beograd?
Kryeministri Kurti thotë se takimi në Ambasadën amerikane për Asociacionin është i shtyrë nga emisari special të SHBA-së, Gabriel Escobar. Kurti duket i hatëruar me Escobarin për deklaratën rreth Asociacionit dhe që nuk kërkoi në Beograd që Serbia ta njohë Kosovën.
Në ambasadën amerikane në Prishtinë, më 31 janar, nisin diskutimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Dhe, Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk është ftuar aty. Ai beson që ky takim rrodhi pas një deklarate të emisarit Escobar, i cili tha se Asociacioni formohet, edhe nëse nuk pranon Kurti.
“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, tha Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri duket i zhgënjyer nga Escobar, përvec Asociacionit, edhë për fjalët që ai i ka thënë në Beograd, gjatë një vizite zyrtare. Kurti thotë të ketë pritur që diplomati amerikan të kërkojë në Serbi njohjen e Kosovës.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka thënë Kurti.