Nenad Rashiq: Dy serbët në Shtërpcë u qëlluan për t’i vrarë, s’kam asnjë dyshim
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, beson se plagosësi i dy të rinjve në Shtërpcë kishte për qëllim vrasjen e tyre. Kështu i tha ai medias serbe “Nova”, raporton Insajderi.
“Ishte një tentim vrasje dhe do të mbetet kështu”, deklaroi Rashiq derisa tha se dëshiron t’i ftojë edhe kolegët e të akuzuarit Azem Kurtaj “të dëshmojnë për sjelljen e tij të përgjithshmne dhe shprehjen e nacionalizmit”.
“Nuk kam dyshim se qëlloi fëmijtë me synimin për t’i vrarë”, tha ministri Rashiq derisa tha se në deklaratat e tij udhëzohet nga ajo çfarë është shkruar në aktakuzë.
Rashiq tha se si minsitër në Qeverinë Kurti ishte i pari që u lajmërua për ngarjen sepse ishte në kontakt me Ministrin e Brendshëm.
Reagimin dhe arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit, Rashiq e quajti “suksesi i vitit për Policinë e Kosovës” ngase, siç tha ai, “arritën ta identifikojnë kryerësin në periudhë shumë të shkurtër kohore”.
Pyetur nga media serbe se a beson se i dyshuari do të merr “dënim adekuat”, Rashiq thotë se këtë e beson “absolutisht”.
“Sepse, çfarë kam parë gjer më sot, se çfarë ka përpiluar prokuroria, dhe çfarë është konfirmuar nga gjykata duke e lënë në paraburgim për 30 ditë, më tregon se ka vendosmëri të madhe”.
“Nga presidenti, kryeministri, të gjithë ministrat dhe diplomatët, dhe kjo më thotë se askush nuk hezitoi të deklarojë asgjë për këtë rast, përveç se është një krim i tmerrshëm që duhet të sanksionohet dhe të zbardhet sa më parë”, ka thënë ai./Insajderi/