RajoniTop Lajme

Presidenti kroat bën deklaratën shokuese: Kosova i është rrëmbyer Serbisë, u aneksua nga ndërkombëtarët

Shpërndaje

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka bërë një deklaratë të pazakontë teksa fliste për mediat kroate ditën e sotme. Ndërkohë që foli për luftën Rusi-Ukrainë, Milanoviç tha se ishte Rusia shteti që kishte bërë aneksimin dhe e krahasoi atë me rastin e Kosovës. Ai tha se Kosova i përkiste Serbisë por u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare.

“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë Milanoviç.

Ai shtoi më tej se nuk ishte në pikëpyetje kontestimi i Kosovës por krahasimi i koncepteve të cilat sipas tij janë të njëjta, duke theksuar se ndërkombëtarët në njëfarë mënyre e rrëmbyen Kosovën nga Serbia duke e aneksuar dhe se e njëjta gjë po ndodhte edhe me Ukrainën.

Sipas tij, Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Milanoviç i quajti “çmenduri” disa diskutime në Parlamentin Europian rreth luftës në Ukrainë.

“Ne dhe serbët nuk e urrejmë njëri-tjetrin aq shumë”, ka thënë ndër tjerash presidenti kroat.

Këto deklarata të presidentit kroat, bënë menjëherë bujë në mediat serbe të cilat e kanë publikuar deklaratën e tij me titullin: “Milanoviç e pranoi, Kosova u rrëmbye nga Serbia”.