Protestojnë nxënëset e medresesë në Tetovë, nuk u njihen diplomat për t’u regjistruar në universitete, propozim-ligji fle në Parlament
Nxënëset e Medresesë së Tetovës sot përmes një tubimi në sheshin e qytetit kërkuan që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend, ata thonë se zgjidhja për problemin e tyre zvarritet për vite me radhë dhe institucionet nuk po punojnë në këtë drejtim. Pavarësisht se ka nismë të tillë në Parlament, ajo po zvarritet dhe nuk po gjen implementim, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse kishin paralajmëruar tubim në shesh, nxënëset nuk u paraqitën në kohën e lajmëruar por u vonuan. Kjo për shkak se thanë se kanë pasur kërcënime dhe presione që mos të dalin madje u është mbyllur edhe dera e shkollës, siç thonë që mos të bëjnë zhurmë për këtë problem, dhe e njëjta të zgjidhet në heshtje por që në heshte sipas tyre zgjatë shumë gjatë.
Nxënëset thonë se e drejta për shkollim si e drejtë njerëzore garantohet në të gjitha konventat ndërkombëtare, duke filluar që nga Deklarata Universale e Drejtave te Njeriut. Por sipas tyre kjo e drejte po shkelet vazhdimisht ne Maqedoninë e Veriut, kur u pamundësohet nxënëseve të medresesë “Isa Beu” që të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike dhe privato-publike në vendin tonë.
Nxënësja Asja Ljazimi thotë se ky nuk është një problem i ri për to pasi nxënësit e Medresesë “Isa Beu” me këtë problem ballafaqohen që nga themelimi i kësaj shkolle.
“Më duhet të theksoj se kjo nuk është protesta e parë e organizuar për këtë çështje. Por, kësaj radhe me zë më të lartë kërkojmë që kjo çështje të mos zvarritet akoma më shumë, sepse studentët po humbin durimin, ndërsa shoqëria dhe shteti po humbin një kapital të madh njerëzor dhe profesional”, tha nxënësja Asja.
Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, partitë politike parlamentare dhe qytetarët të përkrahin kërkesën e tyre për shkollim.
“Ne jemi të bindur se zgjidhja ekziston, e gjitha që duhet është vullneti për zgjidhje. Kërkojmë të drejtën për shkollim, kërkojmë barazi, asgjë me shume”, tha nxënësja.
Ata shtuan se profesorët i përkrahin moralisht por jo që të dalin në protesta. Shtojnë se kanë kërkuar nga Bashkësia Fetare Islame, sipas tyre u është thënë se do rregullohet por siç thonë “gjithnjë del diçka dhe prishet gjithçka”.
Në mbështetje të nxënësve në shesh kishte edhe prindër.
“Të zgjidhet ky problem më shpejtë sepse nxënësit vazhdojnë të ngelin pa shkollën e mesme të akredituar. Nuk është bërë që është dashur të realizohet. Kanë premtuar që do zgjidhet problemi, kinse ka shkuar prej në Qeveri në Parlament por nuk është duke u bërë asgjë. Nuk mund të shkojë në fakultet, dëshiron të shkojë në Universitetin e Tetovës por nuk mundet të shkojë”, tha prindi i një nxënëseje.
Protestë të ngjashme kishte para një viti e gjysmë. Nxënësit e medresesë kërkuan nga Myftinia e Tetovës që të ju zgjidhet ky problem pasi siç thanë aso kohe kjo gjë u ishte premtuar kur janë regjistruan në këtë shkollë. Por zgjidhje nuk pati.
E nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) sot edhe pse të pyetur nga Portalb.mk për këtë, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën.
Ky problem është edhe i shkollave të mesme teologjike ortodokse, jo vetëm atyre islame.