MaqedoniTop Lajme

Si u shua përmes regjistrimit fshati Gërçec me 2 mijë banorë në Saraj të Shkupit!?

Shpërndaje

Fshatin që shihni në foto është fshati Gërçec, është njëri ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Sarajit. Edhe pse de facto ky fshat ekziston dhe ka mbi 2000 banorë, de jure, sipas Regjistrimit të popullsisë së vitit 2002 numëronte vetëm 1 banorë të vetëm, edhe atë të përkatësisë maqedone. Ndërsa, me regjistrimin e vitit të kaluar numëron vetëm 36 banorë.

Ridvan Ismaili, i punësuar në Entin Shtetëror të Statistikave thotë se, kjo është absurde, përcjell agjencia e lajmeve INA.

“Gërçeci kësaj rradhe me vetëm 36 banorë…

Ashtu siç kishim drojë para këtij Regjistrimit të popullsisë nga një dukuri e tillë, e që nuk donim të ndodhte, u përsërit.
Gërçeci kësaj rradhe doli të ketë vetëm 36 banorë. Sipas përkatësisë etnike kemi vetëm 3 shqiptarë dhe 33 persona të tjerë të nxjerrë nga burimet administrative.
Asnjë arsyetim koti nuk mund ta sqaroj zhdukjen e një fshati të tërë.
Ky vendbanim vetëm trup votues ka 1927 votues, ndërsa banorë, mbi 2500.

Shtrohet pyetja si do të bëhet planifikimi hapësinor, arsimor dhe zhvillimor për këtë fshat në 10- vjeçarin e ardhshëm?! Dihet se realizimi i të drejtave tona nëpër institucione nvaren nga numrat dhe përqindjet, ndërsa bota e civilizuar punon mbi këtë bazë.

Pra, lind pyetja se si do t’i ftojmë në të ardhmën investitorët e huaj që të investojnë në një vendbanim me 36 banorë?!
Si do të planifikojmë ndërtimin e çerdheve dhe shkollave në një vendbanim me 36 banorë, ku shohim se 33 prej tyre nuk i dihet as përkatësia etnike?!

Besueshmëria rreth procesit është lëkundur tej mase”, thotë Ismaili.

Sipas tij, historikisht ky fshat është i banuar kryesisht me popullsi shqiptare. (INA)