Maqedoni

Taravari pritet nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Shpërndaje

Lideri i ASH-së, Arben Taravari para takimit që do të mbahet në Tiranë me ftesë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama , sot në Kosovë do të ketë takime të shumta duke filluar nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe më pas takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. GJithashtu pritet të takohet edhe me krerët tjerë të partive politike dhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. përcjell albazone media.

Postimi nga takimi me Kryetarin e PDK-së:

Kënaqësi e veçantë të takoj sot në Prishtinë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi

Në takimin që e realizuam bashkë me deputetët Elmi Aziri dhe Artina Qazimi, falënderova kryetarin Krasniqi për qasjen e tij bashkëpunuese ndaj Aleancës për Shqiptarët dhe urimet e shprehura pas zgjedhjes sime në krye të subjektit. Si Kryetar i ri Aleancës për Shqiptarët, do të angazhohem për thellimin e kësaj miqësie.

Konfirmova përkrahjen e plotë që Aleanca për Shqiptarët jep për nismën e Republikës së Shqipërisë për shfuqizim të rezolutës së Këshillit të Evropës në lidhje me raportin Dick Marty. Besojmë në pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së dhe në pafajësinë e eprorëve të saj. Duke uruar që drejtësia do të triumfojë, konfirmova gatishmërinë tonë për të ndihmuar me këtë çështje kudo që është e mundur.

Me z. Krasniqi, diskutuam veprimet destabilizuese të Serbisë në veriun e Republikës së Kosovës, të cilat i kemi dënuar zëshëm në vazhdimësi. Besojmë se faktori politik shqiptar në Kosovë dhe në Ballkan duhet të jetë më unik në dënimin e politikës anti-evropiane dhe e luftënxitëse të Serbisë, dhe të gjithë bashkërisht të forcojmë zërat që kërkojnë pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe ngrirjen e transfereve evropiane drejt Beogradit.

U pajtuam se shqiptarët nga dy anët e kufirit janë të lidhur ngushtë mes vete, ndërsa dy vendet tona natyrshëm duhet të thellojnë bashkëpunimin dhe lidhjet infrastrukturore. Për këtë, shpreha zhgënjimim tonë dhe të shqiptarëve të RMV-së për vonesat shumëvjeçare në rritjen e konektivitetit midis dy vendeve tona. Duhet që bashkërisht të mbajmë presionin mbi qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të përfunduar pjesën e saj të Autostradës Arbën Xhaferi dhe lidhjen midis Tetovës dhe Prizrenit.