Maqedoni

Vendkalimin mes banesave e bëri shitore! Banorët ankohen se nuk kanë ku të kalojnë

Shpërndaje

Ky tunel është paraparë si vendkalim për banorët e kësaj ndërtese në rrugën “Ilinden” në Tetovë, por tashmë nuk është ashtu.

Është shndërruar në shitore.

Komuna e Tetovë smiratimin për këtë e ka lëshuar më 31 tetor, por pas ankesave të banorëve se po u zihet shtegu ku kalojnë, Komuna më 12 dhjetor e shfuqizoi vendimin, por rruga nuk u lirua!

Banore: “Ky personi na ka ardhur,dy herë ndodhën kjo, një herë erdhi, dikush tjetër jetonte, ai e ndaloi, e përzuri. Tani sërish erdhi, por atë ditë ishte ditë feste dhe na ndali, na e vendosi murin, ja hyrjen e kemi andej, por ajo nuk është hyrja jonë, nuk kemi se nga të kalojmë. Po, ka bërë dyqan! Tani nga të kalojmë ne?! Të gjitha i kemi në rregull letrat, na gënjejnë, faktikisht ka vjedhur, ka zaptuar! Jemi ankuar me avokatë, është e drejta jonë por ai e bën, se si e bën, nuk e di!”

Gazetari: -Sa kohë ka që e ka zënë?

Banore:-Një muaj është bërë, festa kur ishte…”

Avokati Viktor Stojanovski që përfaqëson banorët thotë se komuna e ka parë gabimin që ka bërë dhe e ka rrëzuar vendimin e dhënë muaj më parë.

“Mbylle realisht hyrja e vetme pasazh që banorët e shfrytëzojnë për të hyrë në banesë, kështu është dhënë vendimi për adaptim, megjithatë dokumentet që janë dhënë për adaptim realisht e kanë fshehur gjendjen reale në terren, për këtë shkak banorët janë organizuar, më kanë angazhuar mua si përfaqësues, dërguam ankesë dhe organi i shkallës së parë,gjegjësisht komuna, e ka parë gabimin dhe e ka anuluar vendimin për adaptim”, tha avokati Viktor Stojanovski.

Pyetëm në Komunë se si është dhënë kjo leje dhe pse edhe pas anulimit të vendimit, hapësira nuk është liruar ende nga inspektorët komunal? Nga atje sqarojnë se personi që e mbyllur këtë hapësirë tani është ankuar në shkallën e dytë dhe se procesi ende po rrjedh.

“Lidhur kërkesën e banorëve në ndërtesën e apostrofuar, Komuna e Tetovës e ka shfuqizuar Aktvendimin me nr.10-283. Për momentin lënda është në gjykatën e shkallës së dytë e cila duhet që të vendosë për plotfuqishmërinë e këtij Aktvendimi. Pastaj do të ndërmerren masa adekuate në përputhje me vendimin e gjykatës”, thonë nga komuna e Tetovës.

TV21 kërkoi qëndrimin edhe personat që deklarojnë se janë pronarë, por nuk pranuan të flasin para kamerës. Në një sqarim për TV21, njëri nga pronarët na tha se ky vend është në pronësi të tij që nga 2019-ta dhe se nuk është vendkalim por pronë private – objekt afarist. Shprehet po ashtu se tani për tani i është hedhur poshtë kërkesa për bashkimin e dy lokaleve, megjithatë thotë se ka fletëpronësi. Përfundon duke thënë se do t’i ndjekë procedurat ligjore dhe do të kërkojë dëmshpërblim./TV21