Maqedoni

Byreku u bë luks për qytetarët, 80 denarë me rrymë të lirë!

Shpërndaje

Furrtarëve nuk u mjafton subvencionimi i rrymës për të ulur çmimin e prodhimeve të brumit, andaj tani kërkojnë që shteti tu subvencionojë edhe pagat e punëtorëve të rinj. Prodhuesit privat të bukës, duan që me para publike të trajnojnë kuadër të ri për punësim, por sërish nuk parashohin ulje të çmimeve. Një nga përfaqësuesit e furrtarëve thotë se mungesa e kuadrit ka bërë që pagat e tyre të jenë mesatarja 30 mijë denarë. Sipas Igor Stojanovskit, kostoja e përgatitjes se bukës u bë si në Perëndim, por sërish kjo nuk amniston prodhuesit që byreku të bëhet luks për shumicën e qytetarëve, ¼ e të cilit u bë 80 denarë.

“Ka shumë ikje të kuadrit, ata që kanë mbetur iu është rritur çmimi i punës në mënyrë drastike. Nuk ka më dallim se ku gatuhet byreku, këtu apo në Gjermani. Kostot janë rritur, jo sikur atje por ngadalë po arrijnë si në Evropë, sepse nuk ka kush të punojë është e thjeshtë”, u shpreh Igor Stojanovski, Përfaqësues i industrisë së furrtarëve.

Nga Oda Ekonomike nuk mbajnë llogari se përse furrtarët nuk kanë ulur çmimet e gatimeve të brumit sipas marrëveshjes me qeverinë që ti ulin së paku 10% pas subvencionimit të rrymës. Megjithëse shumica e shfrytëzojnë këtë masë, autoritetet thonë se të gjithë prodhuesit e industrisë ushqimore duhet ti ulin çmimet. Nga Oda thanë se mosha mesatare e furrtarëve është 57 vjeç, andaj me programin e ri duan të trajnojnë kuadro me kusht që të punojnë 6 muaj në vend. Pastaj certifikatat e marra mbase iu shërbejnë jashtë.

“Kërkojmë subvencionimin e punëdhënësve të furrtarëve por edhe të punësuarve në këtë industri. Përderisa kjo nuk bëhet mund të vij deri te bllokimi i kësaj prodhimtarie por dhe rritja e çmimeve të produkteve posaçërisht të atyre që gatuhen me dorë”, tha Natasha Janevska, Oda Ekonomike.

Përkundër paralajmërimit të gjobave, prodhuesit nuk tërhiqen të ulin vetëm disa produkte për 10%. Pasi subvencioni filloi të aplikohet nga 1 dhjetori, në tregje jo të gjitha produktet u ulën, siç ishte rënë dakord mes Qeverisë dhe privatit. Kjo për 5 muaj do t’i kushtojë buxhetit rreth 3.5 milionë € deri në muajin prill. /Alsat.mk