Elmi Aziri: Nëse ASH-ja nuk do të hynte në Qeveri, do të ishim në zonë të pasigurt!
Deputeti i ASH-së, Elmi Aziri duke reaguar ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së deklaroi se nëse kjo parti nuk do të bëhej pjesë e Qeverisë, Maqedonia e Veriut do të ishte në një zonë të pasigurt, në ardhmëri të paqartë.
“Ne të gjithë jemi kolegë, kemi empati dhe e dimë se në çfarë gjendje jeni. E dimë se kryesia e partisë u ka thënë të thoni disa fjalë dhe të shpenzoni minuta. Por ne e dimë se shumica e gjërave që ju i thatë, nuk janë të vërteta. Ju thatë se ky koalicion është qesharak. Do të jetë rrezik i madh nëse ju konsideroni se këto teza janë qesharake, nëse vizionin e shtetit e konsideroni si qesharake. Ju e dini se si shtet jemi para një sfide që duhet ta zgjidhim dhe duhet si shtet të japim përgjigje. A do të vazhdojmë të gjithë drejt rrugës, për të cilën të gjithë në mënyrë deklarative thamë se jemi për ardhmëri evropiane, apo do të hyjmë në zonë të pasigurt, në ardhmëri të paqartë”, tha Aziri në seancën ku diskutohet zgjedhja e ministrave të rinj, transmeton TV21.