Escobar: Sido që t’ia bëni, Asociacioni do të zbatohet në një moment
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova do ta ketë gjithmonë formimin e Asociacionit në agjendën e dialogut Kosovë –Serbi dhe se Asociacioni do të zbatohet në një moment.
Escobari tha se Asociacioni është baza e marrëveshjes së normalizimit.
“Sido që të shkoni përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të keni një Asociacion [të komunave me shumicë serbe]. Prandaj them gjithmonë se do të zbatohet në një moment. Pranon apo jo obligimin ligjor qeveria aktuale në Kosovë nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të them se do të ndodhë. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Kjo as që diskutohet”, tha Escobari, në një intervistë për “Pavlovic Today”, transmeton Klankosova.tv.
“Para së gjithash, vizioni ynë ka qenë gjithmonë konsistent që nga pavarësia e tyre që Kosova do të jetë një vend i pavarur sovran, një demokraci multietnike brenda kufijve të saj aktualë. Ky është ende vizioni ynë. Tani, në kuadër të këtij konstrukti, tashmë ekziston një marrëveshje që është nënshkruar me Marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është një detyrim ligjor ekzistues. Pra, kjo është arsyeja pse çdo marrëveshje e ardhshme do ta përfshijë atë, dhe e përfshin atë, propozimi aktual franko-gjerman e përfshin atë”, u shpreh ai.
Escobari tha se Asociacioni nuk duhet të shkel Kushtetutën e Kosovës, dhe se nuk është model i Republikës Sërpska.