Kamberi në Kuvendin e Serbisë: Kurti nuk është as monstrum e as terrorist
Deputeti shqiptar në Kuvendin Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar duke thënë se nuk do ta votojë Raportin e paraqitur rreth Kosovës, pasi sipas Kamberit, ai këtë nuk do ta bëjë “por për hirë të perspektivës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.
Për kundër kësaj Kamberi ka shprehur gatishmërinë që t përkrah çdo iniciativë për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë ai i ka thënë “Serbia do duhej të pranonte propozimin e marrëveshjes për Kosovën” por sipas tij, Serbia është duke përzgjedhur që të gjitha krizat t’i personifikojë me figurën e Kryeministrit Albin Kurtit , por sipas Kamberit “Albin Kurti nuk është as monstrum e as terrorist. Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje”, ka thënë në Kuvendin e Serbisë Kamberi.
Fjalimin e plotë të deputeti shqiptar në Kuvendin Serbisë, Shaip Kamberit mund ta lexoni me poshtë.
Deputete dhe deputet,
President i Republikës,
Që në fillim theksoj se nuk do të votoj për Raportin e paraqitur rreth Kosovës, por për hirë të perspektivës evropiane të Kosovës dhe Serbisë, përkrahi çdo iniciativë për marrëveshje me Kosovën sa më parë.
Megjithatë, Ju do të duhej të bindni përkrahësit dhe simpatizuesit tuaj, partnerët e koalicionit dhe opinion e gjerë në këtë shtet, që e keni me të drejtë kur thoni se Serbia do duhej të pranonte propozimin e marrëveshjes për Kosovën.Natyrisht se nuk do të jetë e lehtë, sidomos përshkak të disponimit antishqiptar dhe narrativës negative rreth Kosovës e cila është pasojë e retorikës armiqësore të ndërtuar ndër vite.
Ajo që ka ndodhur dje dhe sot në parlament, më së miri përshkruhet me fjalin e famshme të astronautëve amerikanë: “Houston, ëe have a problem”.
Po kemi problem me mungesën e skajshme të ndjenjës për realitet.
Në raportin të cilin e kemi marrë, gjithë fajësia për të gjitha tensionet e ngritura kohëve të fundit, bartet mbi Kosovën.
E gjithë kriza po personifikohet me figurën e Albin Kurtit.
Albin Kurti nuk është as monstrum e as terrorist.
Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje.
Më vjen keq, z. President që dje disa herë keni shprehur keqardhjen që Albin Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe.
A nuk do duhej rasti i tij dhe rasti i dhjetra mijëra të rinjëve shqiptarë të arrestuar atëkohë të ju shërbejë si dëshmi më e mirë për politikën e gabuar e represive të Serbisë në Kosovë?
Keni arrestuar një të ri, keni fituar një Kryeministër me të cilin duhet patjetër të bisedoni e të arrini marrëveshje.
Çdokush objektiv e di që kriza në Kosovë nuk daton nga viti i kaluar.
Ajo është pasojë e politikës represive dhe të gabuar të cilën e keni udhëhequr me dekada.
Është fakt që Kosova ka qenë vendi ndaj të cilit është ushtruar represioni më i gjatë shtetëror në historinë e re të Ballkanit.
Jemi në një situatë ku ka ardhur fundi i ekuilibrimit në dy karrige dhe kemi sinhronizim të plotë të qëndrimeve të BE-së dhe SHBA-së rreth domosdoshmërisë së arritjes të marrëveshjes me Kosovën.
Taktizimet me prolongime nuk kanë më vend.
Shtetet perëndimore po e bëjnë të qartë që janë të inkuadruara dhe që kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes.
Vizitat e fundit të zyrtarëve të caktuar të SHBA-ve, BE-së tregojnë që është duke ndodhur një aksion diplomatik i cili ka për qëllim të sjellë Serbinë deri në atë pikë sa që do të duhej definitivisht të vendosë rreth orientimit të saj.
Tani jemi në udhëkryq dhe po përballemi me pyetjen se si do të përcaktohet e ardhmja?
Në këto momente kyçe është mbi Ju, si president i zgjedhur i këtij shteti që nëpërmjet dialogut të vini deri te marrëveshja.
Receta për një katastrofë të sigurt është iluzioni që NATO dhe Amerika, një ditë do të shkatrrohen prandaj edhe duhet të pritet dita e cila do të ishte në favor të Serbisë.
Idhtarët e “konfliktit të ngrirë” dhe teorive iluzionare, si edhe ata të tjerët që po paralajmrojnë “Shetitjen e re triumfuese në Kosovë” jetojnë në ëndrralla.
“Bastet e tyre patriotike” më ngjajnë me atë thënien e Mesha Selimoviq “Sikur të kishim kajmak, ashtu që nuk kemi miell, kaçamak të mirë do të bënim”.
Edhe Serbisë edhe Kosovës marrëveshja ia hap perspektivën evropiane, e në të njejtën kohë, marrëveshja për të gjithë Ballkanin Perëndimor do të shënonte hap para në krahasim me trendet altuale regresive.
Deklaruat se kemi nevojë për pajtim me Shqiptarët. Ky është një lajm i mirë dhe shpresojë të jetë i sinqert.
Është problematike kur flitni për Kosovën. Sepse po flitni për territore e jo për njerëz.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës shpresojnë që arritja e Marrëveshjes Bazë në mes të Serbisë dhe Kosovës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në avancimin e të drejtave ligjore e politike të shqiptarëve.
Jemi të sigurt që arritjen e Marrëveshjes Bazë Beogradi do duhej ta shfrytëzojë si hapje të një kapitulli të ri në komunikim me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
As sot, gati 22 vite më vonë nga nënshkrimi i marrëveshjes së 2001, as pas marrëveshjes në vitin 2009 dhe marrëveshjes së vitit 2013, pozita e shqiptarëve nuk ka ndryshuar sepse Beogradi nuk ka rrespektuar marrëveshjet e arritura dhe obligimet e marra.
Neni 3 i propozimit Evropian të “Marrevshjes bazë” thotë: “Në kuadër të Kartës së Kombeve të Bashkuara, palët, në mes vete, të gjitha çështjet do t’i zgjidhin me marrëveshje reciproke, në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga të gjitha format e kërcënimeve ose përdorimit të dhunës”.
Jam i bindur që pozita diskriminuese e shqiptarëve të Luginës, edhe në të ardhmen, do të paraqet një prej çështjeve të diskutueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Duke e patur parasysh që diskriminimi politik e institucional i shqiptarëve të Luginës vie shpesh si pasojë e tensioneve në mes të Serbisë dhe Kosovës, besojmë që gjetja e aranzhmaneve simetrike dhe të balansuara për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pakicave në përputhje me standardet evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, do të ishte rrugëtim i sigurt drejt krijimit të mardhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe një hap i madhë drejt paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor.
Faleminderit.