RajoniTop Lajme

Kosovë, protestë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Video)

Shpërndaje

Studentë të Universitetit të Prishtinës protestuan të mërkurën me thirrjet kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Parakalimi protestues që u organizua nga Parlamenti i studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndodhi në një kohë kur diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Kosovën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin për të cilin është arritur një marrëveshje që në vitin 2013, nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti sot kushtet e vendosura prej tij për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

“Ato gjashtë kushte, gjashtë parime janë të tilla të cilët mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, që të mos jetë mono etnik, që të kemi reciprocitet të drejtave të pakicave kombëtare sepse në Kosovë ka 4 për qind serbë, 3 për qind të tjerë dhe 93 për qind shqiptarë ndërkaq në Serbi më shumë se 80 për qind serb nuk ka që do të thotë se rreth 20 për qind janë pakica”, tha ai.

Trysnia për këtë çështje është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kryeministri Kurti tha se ky propozim do të negociohet në nivel të lartë politik dhe sipas tij për Kosovën, “normalizim të plotë të marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, pra në çdo takim që kemi pasur me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të çahen dhe ndahen prej njëra tjetrës”, tha ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thanë se diplomacia perëndimore ua ka bërë të qartë se mospranimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, do të çojë në përballje me sanksione. Të dyja palët thanë se e pranojnë në parim propozimin./REL