RajoniTop Lajme

Kurti përkujton masakrën e Likoshanit dhe të Qirezit

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Kryeparlamentarin, Glauk Konjuvca dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë bërë sot homazhe në varrezat e Likoshanit dhe Qirezit të Drenicës, në 25 vjetorin e masakrës.

Postimi nga KURTI:

Sot bëhen 25 vite nga dita kur Serbia kreu masakrën e parë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më 28 shkurt 1998, policia serbe vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, prej të cilëve 20 ishin civilë. Dy javë para kësaj masakre, më 14 shkurt 1998, policët serbë e vranë në vendin e tij të punës në një trafostacion elektrik, 45 vjeçarin Avdullah Nika nga fshati Gllanasellë, për shkak të lidhjeve të tij me UÇK-në. Rreth 12 mijë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, më 17 shkurt 1998, ashtu siç mijëra njerëz shkuan për ngushëllime në Gllanasellë gjatë dy javëve të ardhshme.

Ditën e 27 shkurtit, Komandanti Adem Jashari i ngarkoi me detyrën që të patrollonin në Likoshan, Qirez dhe Gllanasellë, tre shokë të tij, ushtarë të UÇK-së: Sahit Jasharin, Sabit Lladrovcin dhe Rasim Kiqinën. Pasi e kaluan natën në shtëpinë e Jahir Hajdarit në Dobroshec, të nesërmen, ata të tre u nisën me makinë drejt Prekazit për t’i raportuar Adem Jasharit. Rrugës, ata hasën në një patrullë të policisë serbe të fshehur pranë një shitore në Likoshan. Në këtë pikë, megjithëse ata u tërhoqën deri në lagjen Hasani të Likoshanit, ndeshja ishte e pashmangshme. Luftimet filluan te mikrotoponimi “Gjashtë lisat”, ku nga katër policë serbë u vranë tre dhe një u plagos, kurse nga ushtarët e UÇK-së, u plagos Sabit Lladrovci, i cili u tërhoq në krah nga Rasim Kiqina.

Ndërkohë që e kishin lajmëruar Adem Jasharin, i plagosuri Sabit Lladrovci u mor në makinë nga Sabit Geci dhe Sahit Jashari dhe u nisën drejt Prekazit. Por rrugës, në fshatin Baks, ata u pikasën nga një helikopter i policisë serbe, që shtiu një predhë dhe plot 111 plumba mitralozi mbi veturën e tyre, duke e plagosur sërish Sabit Lladrovcin dhe duke i plagosur rëndë Sabit Gecin dhe Sahit Jasharin. Ishte ardhja e Adem Jasharit dhe të shtënat e tij në drejtim të helikopterit, që u shpëtoi jetën këtyre të tre luftëtarëve të plagosur.

Të përforcuar me trupa shtesë, policët serbë i vazhduan luftimet gjatë gjithë ditës së 28 shkurtit deri në mbrëmje, me një bilanc prej 18 policësh të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Në ato luftime ranë katër dëshmorë: Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli. Si hakmarrje për policët e vrarë, policia serbe vrau dhe masakroi 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bedri Sejdiu, Bekim Sejdiu, Ilir Nebihu, Rukie Nebihu, Xhemshir Nebihu, Ibish Rama, Behram Fazliu, Ismail Behrami, Gani Ahmeti, Ahmet Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti.

Pas masakrës së kryer nga policia serbe në Likoshan dhe Qirez më 28 shkurt 1998, lufta nuk mund të kishte më kthim pas, duke u intensifikuar tutje me mijëra të vrarë dhe të rënë dëshmorë, deri te çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Lavdi të vrarëve të masakrës së Likoshanit dhe Qirezit si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve në rrugën tonë të gjatë për liri!