Murati: Paga mesatare në sektorin publik, gati dyfish sa ajo në sektorin privat
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur sot para Komisionit për Buxhet, ku e ka adresuar çështjen e koificientit dhe pagave.
Ai ka folur edhe për mjekët duke thënë që ata mjekë që do të punojnë vetëm në institucione publike do të kenë shtesa.
“Do të ketë edhe shtesë mbi pagën bazë me shtesat tjera për të gjithë ata që të vendosin të punojnë ekskluzivisht për sektorin publik, pra duan të jenë të lidhur vetëm me sektorin publik dhe nuk punojnë askund tjetër në sektorin privat, pra që të mos kemi më mjekë specialistë ku punojnë dy-tri orë në ditë në sektorin publik, dhe në kohën tjetër kalon në sektorin privat”, ka thënë Murati.
“Pra, ideja është që ata që zotohen se do të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë edhe një shtesë tjetër, dhe mbi të gjitha këto. Kjo është për shëndetësi, pra është edhe shtesa e përvojës së punës që mbi një pagë bazë tash, mbi 1200 euro ka krejt tjetër reflektim në raport me pagën bazë 600 euro sa ka qenë. Domethënë, baza është dyfishuar”.
Murati tha se nuk mund të flitet për jo dinjitoze pasi që më 2021 paga mesatare në sektorin privat ka qenë 490 euro, ndërkaq në atë publik ka qenë 612, teksa tani në publik është 730 euro.
“Mendoj që secili pajtohemi, do ta shohim në fund të muajit shkurt se sa do t’u dalë paga, e që mesatarja është 730 euro, kurse sa për llogaritje që i paskeni bërë, nuk e di, mirëpo unë siç e thahs,ë në vitin 2022 ka qenë 620, dhe këtu e kam edhe raportin e Agjencisë së Statistikave ku në vitin 2021 ka qenë 612 euro paga mesatare. Pra, 612 ka qenë veçse në vitin 2021 dhe kjo është e konfirmuar nga agjencia e statistikave”.
“Nuk mund të flasim për paga të padinjitetshme siç po pretendoni ju, përkundrazi nëse e krahasojmë me sektorin privat, paga mesatare në vitin 2021 ka qenë 490 euro – po flasim për gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat”.