Silvana Begaj: Shqipëria nuk ka të ardhme nëse nuk luftohet korrupsioni në mënyrë frontale
Silvana Begaj: Korrupsioni, degradimi i shoqërisë dhe i shtetit shqiptar në 30 vite
“Mohimi i të drejtës së votës së emigrantëve ka ndodhur, sigurisht, sepse ndër vite Diaspora ka sjellë ndryshim, një ndryshim që partive politike në Shqipëri nuk iu përputhet me interesat e tyre. Diaspora nuk mund të kontrollohet prej tyre dhe as të blihet. Shqipëria të ardhme nuk ka, nëse nuk luftohet korrupsioni në mënyrë frontale dhe pa kompromis derisa ai të gjunjëzohet dhe të mposhtet përfundimisht”…
Prej më shumë se 10 viteve në Suedi, Silvana Begaj, ndonëse larg vendlindjes, qëndron aktive me zhvillimet që ndodhin në Shqipëri. Atje është bërë pjesë e stafit të Universitetit të Gävle, ndërkohë që nga Suedia drejton Rrjetin Panshqiptar të Diasporës. Përmes një letre bërë publike një muaj më parë, nga Rrjeti Panshqiptar i Diasporës, i drejtuar prej saj, adresuar qeverisë shqiptarë dhe asaj suedeze, kërkohej që të njiheshin të drejtat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Suedi. Ndërsa po ashtu, ajo është bërë pjesë e nismave në diasporë, për të drejtën e mohuar të votës së shqiptarëve. Silvana Begaj sqaron në një intervistë për “Liberale.al” këto dy çështje:
Intervistoi: Aranit Muraçi
I jeni drejtuar pak kohë më parë përmes një kërkese bërë publike qeverisë shqiptare mbi të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Suedi. Ka pasur ndonjë zhvillim pozitiv lidhur me këtë kërkesë?
Se pari ju falënderojmë për interesimin e treguar. Është e vërtetë. Ne kemi bërë një kërkesë institucioneve të shtetit shqiptar dhe atij suedez për lehtësimin e procedurave të dokumentacionit për shtetasit shqiptar dhe njohjen e patentave shqiptare në shtetin suedez.
Për këtë arsye kemi pasur një takim pozitiv me ambasadën suedeze në Tiranë, shkëlqesinë e saj, znj. Elsa Håstad. Ajo e inkurajoj këtë nismë duke shprehur përkrahjen e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë mbështetje dhe përkrahje e morëm edhe nga Ambasada shqiptare në Suedi.
Ministria e Migracionit dhe Ministria e Drejtësisë në Suedi reagoi menjëherë duke lënë të hapur mundësinë e fillimit të diskutimeve në nivele më të larta shqiptare, siç janë Grupet e Miqësisë shqiptaro-suedeze dhe komisionet parlamentare në marrëdhëniet me vendet e tjera. Akoma presim përgjigje nga Komisioni i Jashtëm në Shqipëri dhe Në-komisioni i Diasporës.
Çfarë vështirësish ose pengesash hasin më së shumti emigrantët shqiptarë në Suedi, krahasuar me të tjerë të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Europës?
Rregullat që Migracioni ka vendosur dhe zbaton shpesh kanë bërë që të ndalohet integrimi i shqiptarëve në këtë vend dhe i shtyn ata drejt punëve të padeklaruara. Që nga viti 2013 e mbrapa 90 % e atyre që kanë zgjedhur të vinë në Suedi janë të arsimuar dhe punët e para që mund të gjejnë shpesh janë jashtë profesionit. Nga rregullat e migracionit në Suedi ata janë të detyruar të qëndrojnë në të njëjtin profesion për 4 vite duke mos lejuar ndryshimin e punëve.
Shpesh ndodh që të sapoardhurit bien në duar të ”firmave mashtruese” duke iu premtuar dokumentacion të rregullt apo edhe punësim të rregullt, por rezultojnë që të mos kenë paguar as taksat e detyrueshme për punëmarrësin. Në të tilla raste Migracioni zgjedh të ”dënojë” të mashtruarin, pra, punëmarrësin duke i prishur leje-qëndrimin. Këto janë vetëm disa nga pikat që ne kemi parashtruar dhe vetëm disa nga problemet që ne hasim në Suedi.
Jeni shprehur për të drejtën e votës së diasporës shqiptare. Pse mendoni se është mohuar një e tillë deri tani dhe cilat janë shanset që kjo e drejtë të bëhet realitet?
Diaspora duhet patjetër të ketë të drejtën për të votuar. Ikja nga vendi nuk është shkëputje e përhershme. Unë dhe ndoshta shumë të tjerë e duan Shqipërinë dhe mendojnë të rikthehen aty pas ndryshimeve të nevojshme.
Mohimi i kësaj të drejte ka ndodhur, sigurisht, sepse ndër vite Diaspora ka sjellë ndryshim, një ndryshim që partive politike në Shqipëri nuk iu përputhet me interesat e tyre. Diaspora nuk mund të kontrollohet dhe as të blihet. Militantët kanë bërë që pushteti të rrotullohet rreth dy partive, të cilat vazhdojnë po të njëjtat politike. Duke qenë se Vota e diasporës duhet të aprovohet pikërisht nga këto parti politike, do të jetë e vështirë që të pranohet dhe të lejohet lehtë. Por herët a vonë kjo e drejtë do të realizohet. Sepse unë besoj se Shqipëria do të bëjë patjetër një ndryshim rrënjësor.
A është diaspora shqiptare një komunitet i bashkuar në Suedi dhe më gjerë, ose një zë i fuqishëm, apo edhe ajo has të njëjtat problematika si këtu në Shqipëri, Kosovë apo vise të tjera ku jetojnë shqiptarët?
Nëse të bashkuar nënkupton se ndihemi shqiptarë, të pandarë, pavarësisht nëse je nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, po. Në këtë pikë nuk ka asnjë diferencë. Ne jemi të gjithë shqiptarë, të bashkuar, krenarë, flasim të njëjtën gjuhë, festojmë të njëjtat festa etj.
Së fundmi, cili është, sipas asaj që ju keni konstatuar përgjithësisht nga opinioni i shqiptarëve që jetojnë jashtë, problemi më i madh sot që pengon zhvillimin tonë kombëtar?
Problemi më i madh që ka bllokuar ecjen e Shqipërisë drejt një standardi evropian është korrupsioni politik i niveleve dramatike. Të gjitha palët janë të akuzuara lidhur me këtë fenomen. Mendoj që korrupsioni politik në qeveri ose opozitë ka deformuar shoqërinë tonë, ka vrarë meritokracinë, ka larguar ose ka demoralizuar të aftët, të ndershmit dhe më profesionistët, mban të mbyllur dhe riciklon një kastë politike, ka deformuar ekonominë dhe biznesin e ndershëm. Korrupsioni dhe vetëm korrupsioni është në themel të çdo degradimi të shoqërisë e shtetit shqiptar në 30 vite.
Mendoj se dhe përfundimtare. Ka ardhur koha që politikanët e pushtetarët e korruptuar të përmenden e të denoncohen me emra, dhe me shumë se kaq, duhet të ballafaqohen me drejtësinë.
E përkrah pa rezerva vullnetin e aleateve tanë strategjikë SHBA, Britania e Madhe dhe BE për ta zhvilluar këtë luftë dhe për ta çuar përpara atë. Mendoj se në këtë luftë ka shumë rëndësi mbështetja që duhet t’i japim drejtësisë e organeve të hetimit. Shoqëria jonë duhet ta kuptojë këtë emergjencë kombëtare. Pa luftuar korrupsionin në çdo krah Shqipëria nuk ka të ardhme dhe njerëzit do të vazhdojnë të largohen pa shpresë./Liberale.al/