Tadiq: Me pranimin e planit franko-gjerman Vuçiq e njeh pavarësinë e Kosovës
Ashtu sikur në Kosovë një pjesë e opozitës dhe analistëve po e akuzojnë kryeministrin Kurti se me pranimin e marrëveshjes sipas propozimit franko-gjerman ka hequr dorë nga njohja e Kosovës nga Serbia, njësoj po akuzohet presidenti serb Vuçiq nga opozita e atjeshme, se me nënshkrimin e këtij propozimi do ta njihte edhe formalisht pavarësinë e Kosovës.
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes franko-gjermane nuk do të ishte një akt i njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, por padyshim që do të ishte një akt i pranimit zyrtar të pavarësisë së Kosovës si realitet politik.
Lider i Partisë Socialdemokrate Serbe (SDS) tha për “Danas” se Vuçiq, në deklaratën e tij pas takimit të së hënës në Bruksel, ka anashkaluar disa aspekte kyçe të takimit, krahasuar me ato që tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Në fakt, ai thotë me këmbëngulje se tek duhet të arrihet marrëveshja për planin implementues për të krijuar përshtypjen në opinion se nuk ka ndodhur asgjë e rëndësishme, por nuk thotë se edhe ai edhe Kurti e kanë pranuar përmbajtjen e marrëveshjes ashtu siç është publikuar mbrëmë. Ai po mundohet të krijojë konfuzion në opinion dhe dalëngadalë t’i ‘fusë në ujë të ftohtë qytetarët tanë’”, tha Tadiq, transmeton Telegrafi.
Ai shton se promovimi i sotëm i donacionit të BE-së ka për qëllim përgatitjen e publikut për nënshkrimin e një marrëveshjeje që e trajton Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk e pengon anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.
“Manipulimi që do të jemi dëshmitarë në ditët në vijim do të reduktohet në ngritjen e Asociacionit si një arritje e madhe dhe përfitimet materiale që Serbia do të ketë nga braktisja e interesave të saj legjitime kombëtare në Kosovë”, shpjegon Tadiqi, duke shtuar se “kjo nuk është një marrëveshje që ofron një kompromis, sepse në tekstin e marrëveshjes është e qartë se marrëveshja ekskluzivisht është në të mirë të Kosovës dhe se Serbia po jep gjithçka dhe nuk merr asgjë me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë”.
Ai mendon se është tragjike që regjimi e paraqet Asociacionin si parakusht për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, duke krijuar kështu përshtypjen se është diçka që fiton pala jonë. Por, e vërteta është se Asociacioni, çfarëdo që të jetë, është bërë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, jo me këtë marrëveshje.
“Pra për dy marrëveshje në të cilat gjithçka i lihet palës shqiptare, Serbia merr Asociacionin, që ende askush nuk e di saktësisht se çfarë do të thotë, por është e sigurt që gjithsesi nuk është një institucion që siguron mbijetesën afatgjatë të popullit tonë në Kosovë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë. Në fund të fundit, këtë e konfirmojnë zyrtarët e pesëshes që thonë qartë se Asociacioni nuk mund të ketë kompetencën e ‘Republika Srpska’”, vlerëson ish-presidenti i Serbisë, transmeton Telegrafi
I pyetur nëse do të firmoste diçka të tillë, ai u përgjigj se si president i vendit nuk do ta nënshkruante kurrë një marrëveshje të tillë.
“Dhe edhe sikur ta kisha nënshkruar, Beogradi do të digjej po atë natë në demonstratat e organizuara nga ata që janë sot në pushtet. Është absurde që në vitin 2008 e mbrojtën Kosovën në Beograd, edhe pse ishte shpallje e njëanshme e pavarësisë në të cilën Serbia dhe Beogradi nuk morën pjesë në asnjë mënyrë. Dhe sot, kur qeveria e Beogradit pranoi bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për pranimin zyrtar të pavarësisë së Kosovës, nuk kemi asnjë reagim”, thotë Tadiq.
I pyetur se çfarë merr Serbia nga kjo lloj marrëveshjeje, Tadiq thotë se “fatkeqësisht, nëse një marrëveshje e tillë nënshkruhet dhe zbatohet, nuk do të kemi një të ardhme donacionesh dhe problemesh të zgjidhura, por një të ardhme frustrimi kombëtar dhe rrezik edhe më të madh për shpërthime konfliktesh”.
Duke komentuar vërejtjen e disa grupeve opozitare se presidenti duhet të dalë në parlamentin serb pas publikimit të marrëveshjes dhe të shpjegojë detajet e dialogut të Brukselit, Tadiq thotë se parlamenti është padyshim një nga institucionet të cilit Vuçiq duhet t’i drejtohet.
“Mirëpo, të mos harrojmë se thirrja e Kuvendit erdhi si rezultat i zgjedhjeve jo të lira dhe të padrejta dhe ishte caktuar për këtë moment. Në këtë kuptim, qëndrimi i Kuvendit nuk është qëndrim i përfaqësuesve realë të qytetarëve, por i mazhorancës së rezultateve të manipuluara zgjedhore dhe i një pjese të opozitës, e cila bëri një kthesë të plotë pas zgjedhjeve dhe filloi të promovojë qëndrim të kundërt ndaj regjimit në raport me atë për të cilin kanë marrë votat e qytetarëve. Pra, nuk mendoj se kjo përbërje e Kuvendit ka kapacitet për të vendosur për legjitimitetin e vendimeve të Vuçiqit. Partia Socialdemokrate së bashku me bashkëbiseduesit tanë nga opozita do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Serbia që nga mbrëmë dhe do të dalin me propozim”, tha kryetar i SDS-së, Boris Tadiq./Telegrafi/