Baba i tre fëmijëve, ky është roja që mbeti i vrarë nga sulmi ndaj “TCH”
Personi që shihni në foto është 60-vjeçari Pal Kola, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme kur godina e Top Channel u sulmua me breshëri kallashnikovi.
Plumbat e kallashnikovit në drejtim të godinës së Top Channel, vranë 60-vjeçarin i cili banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip ‘Range Rover’ me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit.
Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë i cili ndërroi jetë në vend.
Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende.
Gazetari hulumtues, Artan Hoxha ka bërë të ditur imazhin e 60 vjeçarit, Pal Kola i cili mbeti i vdekur mbrëmë në godinën e Top Channel-it teksa po kryente punën e tij si roje.
Hoxha i cili po reagon për herë të dytë për rastin ka shkruar se “Kola ishte i punësuar roje sigurie me një rroge qesharake, për te mbrojtur një media kombëtare, me vlere disa dhjetëra milionë euro…”