Banka e Shqipërisë: 2022-ta ishte vit rekord për turizmin, 2.8 miliardë euro të ardhura
anka e Shqipërisë ka publikuar një cikël statistikash sa i përket tremujorit të fundit të vitit të kaluar, duke përmbyllur kështu vitin e shkuar. Një ndër to është pikërisht edhe ai i shpenzimeve nga turistët në vendin tonë.
Këto të dhëna konfirmojnë kështu ato të Institutit të Statistikave për një shifër rekord hyrjesh të turistëve gjatë vitit që lamë pas, duke tejkaluar edhe periudhën e para pandemisë. Kështu, flukset rekord në hyrje, kombinuar me çmimet e larta gjatë vitit të kaluar si pasojë e krizës së çmimeve, kanë prodhuar edhe një nivel rekord historik të shpenzimeve të turistëve në Shqipëri, me plot 2.83 miliardë euro përgjatë 2022-shit.
Në vitin 2021, pra ata pararendës, shifra fiksohej pranë 1.9 miliardë eurove, çka përkthehet në një rritje vjetore me plot 48.5%. Në terma monetarë, shifrat e analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se turistët në Shqipëri kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar 927 milionë euro më shumë se viti 2019. Kjo është rritja më e madhe e regjistruar ndonjëherë, madje edhe më e lartë se ajo e vitit 2021, me 924 milionë euro, pavarësisht rritjes nominale me më shumë se 90%, si pasojë e vitit pandemik në 2020-tën.
Rekord regjistron edhe shifra e tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ku në vetëm tre muaj u shpenzuan plot 647 milionë euro nga turistët në Shqipëri, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe kohore, duke konfirmuar tendencën e sinjalizuar edhe nga shifrat e Institutit të Statistikave sa i përket flukseve hyrëse të turistëve, për një sektor që po zgjatet tashmë edhe përtej muajve të ngrohta. Shifra prej 647 milionë eurosh e shpenzimeve të turistëve në tremujorin e fundit të vitit të kaluar është 45% më e lartë se rekordi i mëparshëm historik, i regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2019.
Por, ndërkohë, kemi edhe anën tjetër të medaljes, paratë që shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit gjatë vitit 2022. Shifra fiksohet në 1.77 miliardë euro, dhe kemi të bëjmë gjithashtu me një rekord të ri historik. Rritja është e ndjeshme gjatë vitit 2022, por nga ana tjetër, diferenca mes asaj që kanë shpenzuar turistët në Shqipëri dhe asaj që kanë shpenzuar shqiptarët jashtë fiksohet pranë rreth 1 miliard eurove, që është gjithashtu niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.