Bekteshi: Nesër do të kufizohen çmimet e produkteve higjienike, më pas edhe të disa pemëve dhe perimeve
“Me shumë gjasa, nesër në mbledhjen e qeverisë do të merret vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve higjienike dhe gjatë kësaj jave do të ngrihen edhe çmimet e disa pemëve dhe perimeve”.
Kështu bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski sot kontrolluan çmimet e produketeve të ngrira në marketet e Shkupit. Ai tha se Qeveria do të sjell vendim dhe nuk do të pret punën e papërshtatshme të komisioneve të caktuara në Kuvend.
“Nuk do të presim punë të papërshtatshme të komisioneve të caktuara në Kuvend. Me vendim të Qeverisë do të ulim çmimet e një sërë produktesh higjienike njësoj si me çmimet e produkteve ushqimore deri në një datë të caktuar, por data deri në të cilën do të zgjasë ngrirja do të dihet nesër”, theksoi Bekteshi.
Sa i përket pemëve dhe perimeve, Bekteshi tha se analizat i ka marrë dje nga Ministria e Bujqësisë.
“Sot ekipi im është duke punuar, me shumë mundësi çmimet e më shumë se pesë apo gjashtë produkteve do të ngrihen gjatë kësaj jave. Jemi në pritje të analizave nga Drejtoria doganore për çmimet e importit të tregtarëve për të parë se sa është dallimi në marzhë”, theksoi Bekteshi.