Deklaratë e përbashkët pas Takimit të 16-të të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut
Më 17 mars, Këshilli për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut mbajti takimin e tij të 16-të në Shkup. Takimin e kryesoi z. Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Delegacioni i Maqedonisë së Veriut përfshinte z. Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër dhe z. Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme. Delegacioni i BE-së u kryesua nga z. Zhosep Borell Fonteles, përfaqësues i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, si dhe z. Oliver Varhej, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim, i cili përfaqëson Komisionin Evropian.
Kjo është hera e parë që Këshilli i SA mban një takim në Maqedoninë e Veriut, ku theksohet përkushtimi i plotë dhe i qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe për procesin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut. Takimi ishte një mundësi për të shqyrtuar progresin që ka bërë Maqedonia e Veriut në përgatitjet për anëtarësim në BE dhe në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, si dhe për të diskutuar për punën e mëtejshme që është e nevojshme. Pjesëmarrësit përshëndetën procesin e avancuar të rishikimit analitik të legjislacionit të BE-së (skriningun), ndërsa presin me padurim përfundimin e procesit të skriningut.
Pjesëmarrësit përshëndetën objektivin e qartë strategjik të BE-së dhe ambicien e Maqedonisë së Veriut për të përparuar në procesin e bisedimeve aderuese bazuar në përparimin e vazhdueshëm me reformat, ndërsa njëkohësisht rikonfirmuan përkushtimin e BE-së për të mbështetur më tej Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE. Të pranishmit gjithashtu theksuan rëndësinë e reformave të vazhdueshme dhe konsolidimit të mëtejmë të zbatimit të tyre, në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh realitetin gjeopolitik pas luftës dhe agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja e teksoi rëndësinë për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështje të politikës së jashtme. BE-ja e përshëndeti avancimin mjaft të mirë të Maqedonisë së Veriut me harmonizim të plotë me Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat restriktive të BE-së. Kjo është shprehje e fuqishme strategjike e Maqedonisë së Veriut dhe vendi i saj në komunitetin e vlerave. BE-ja gjithashtu e përshëndeti mbajtjen e Kryesimit me OSBE-në vitin 2023 nga ana e Maqedonisë së Veriut në kontekst global të plotësuar me sfida.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përparimit të mëtejshëm të përgjithshëm në fushat që mbulojnë Kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat e Njeriut) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria). Duke u mbështetur në progresin e arritur tashmë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të garantuar pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. BE-ja inkurajoi Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë të konsolidojë arritjet në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit, përfshirë edhe në nivele të lartë.
Këshilli SA përshëndeti përfundimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative që i realizon Roja kufitare dhe bregdetare evropiane (Frontex) në Maqedoninë e Veriut dhe pret me padurim hyrjen e saj në fuqi.
BE inkurajoi të gjitha palët në Parlament që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive së bashku dhe të ndërtojnë një konsensus ndërpartiak që do të fokusohet në marrjen e hapave konkretë në procesin e negociatave dhe ruajtjen e dinamikës aktuale të reformave.
Lidhur me zhvillimet ekonomike, Këshilli SA rikujtoi “Konkluzat e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë” mbi Programet e Reformës Ekonomike të mbajtura më 24 maj 2022 dhe inkurajoi Qeverinë që të fokusohet në zbatimin dhe monitorimin e tyre. Ju bë thirrje vendit të zgjidhë sfidat kryesore të mbetura dhe të zbusë pasojat negative të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të procesit të stabilizimit dhe asocimit. Marrëveshjet dypalëshe ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duhet të zbatohen me vullnet të mirë.
BE-ja do të vazhdojë të forcojë dhe intensifikojë përfshirjen e saj, në të gjitha nivelet, për të vazhduar transformimin politik, ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë ndihmën e vazhdueshme të bazuar në përparimin e prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, si dhe respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve të BE-së. Pas miratimit të kornizës ligjor për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit (IPA) III, i cili është burimi kryesor i fondeve, BE-ja nënvizoi nevojën për të forcuar kapacitetet administrative të strukturave të IPA-s për të mundësuar zbatimin pa pengesa të programeve IPA III.
BE pret me padurim zbatimin e plotë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe Agjendës së Gjelbër dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor, dy mjete të rëndësishme për kapërcimin e hendekut socio-ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital të rajonit gjatë ndërtimit elasticitetin dhe pavarësinë energjetike. Maqedonia e Veriut në tre vitet e fundit ka marrë grante në vlerë prej 276,3 milionë euro dhe 362,5 milionë euro kredi në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investiv.
Pjesëmarrësit rikujtuan gjithashtu rëndësinë e Pakos së BE-së për mbështetjen energjetike me vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor (500 milionë grante dhe 500 milionë kredi të lëverdishme dhe garanci), nga të cilat 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut synojnë mbrojtjen e grupeve më të cenueshme, grupet e prekura nga kriza energjitike, veçanërisht bizneset, familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin dhe diversifikimin e energjisë. Tashmë është paguar kësti i parë prej 72 milionë eurosh.
Këshilli i Stabilizim-Asociimit gjithashtu shkëmbyen mendime për ngjarjet në Maqedoninë e Veriut dhe situatën rajonale në Ballkanin Perëndimor.