RajoniTop Lajme

Krerët e shtetit të Kosovës ulen në karroca në takimin me përfaqësues të HANDIKOS në shenjë respekti! (Foto)

Shpërndaje

Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës priti në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”
Presidentja shprehu mbështetjen ndaj përdoruesve të karrocës dhe tha se institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t`i mbështesin ata jo vetëm në ditë të shënuara, por gjatë tërë vitit.

Në shenjë solidarizimi në Ditën Ndërkombëtare të Përdorimit të Karrocave, Presidentja Osmani është ulur në karrocë duke përcjell mesazhin për gjithëpërfshirje të përdoruesve, përmirësim të qasjes si një e drejtë themelore njerëzore si dhe eliminim të pengesave.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës “Handikos”, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë ”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesit e HANDIKOS-it

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin e HANDIKOS-it, z. Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.

Synimi i Qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme, tha Kryeministri Kurti.

Në takim u bisedua për procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutë, konkretisht Neni 22.

Duke folur për ndryshimet e nevojshme ligjore, u përmend miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e Listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe procesi i hartimit të Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

U vlerësua zbatimi i Masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, nëpërmjet së cilës gjatë vitit 2022 janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra.

U theksua se me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, gjatë vitit 2022 janë punësuar afërsisht 100 asistent në shkolla për fëmije me nevoja të veçanta, ndërsa Qeveria ka ndarë buxhet për 500 asistentë për vitin 2023. Po ashtu, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, Kryeministri Kurti i është përgjigjur thirrjes së HANDIKOS-it, për përdorim të karrocës, në shenjë solidarizimi me personat me aftësi të kufizuara.

Në takimin e përbashkët, ku morën pjesë edhe z. Flamur Bekteshi, anëtar bordi në HANDIKOS, znj. Emira Kuçani dhe znj. Sadete Dubova, anëtare të HANDIKOS-it, si dhe Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe organizatave për persona me aftësi të kufizuar.

Kryeministri Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e të gjitha obligimeve për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut, e në veçanti të personave me aftësi të kufizuara.

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim drejtuesit e shoqatës HANDIKOS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot, me rastin e 1 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës së personave me aftësi të kufizuara HANDIKOS.

Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, e njoftoi Kryetarin Konjufca në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar më shumë përkrahje institucionale për këtë kategori të shoqërisë sonë.

Kryetari Konjufca ritheksoi nevojën që institucionet qendrore dhe ato lokale, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, të rrisin kujdesin dhe investimet në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Ai njëherësh shprehu mbështetje për t’iu siguruar atyre mundësi të barabarta dhe jetë sa më të dinjitetshme.