Kurti viziton mësuesin drenicas me të cilin ishte në burg, rrëfen historinë e dhimbshme të tij
Në Ditën e Mësuesve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjen e një mësimdhënësi me të cilin ka qenë bashkë në burg.
Bëhet fjalë për Osman Jakupin nga fshati Baks. Kurti rrëfen se si ai ishte burgosur, plagosur e maltretuar edhe në spital, teksa përveç kësaj, i ka edhe katër anëtarë të familjes të vrarë.
“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, rrëfen Kurti.
Bashkë me Osmanin, Kurti takoi edhe vajzën e tij, Afërditën, e cila kur kryeministri ishte nxënës, ajo ishte mësuese e matematikës e më pas u bë mësuese në gjimnaz, për të përfunduar si asistente në Universitet.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije
Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj.
Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.
Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit.